Bajrami alarmon për deponinë në Sferkë, kritika ndaj Qeverisë për moszgjidhjen e problemit

July 14, 2026


Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për gjendjen e deponisë në Sferkë, vendlindjen e saj, duke thënë se kjo zonë po shndërrohet para syve të banorëve në një katastrofë mjedisore.

Bajrami përmes një postimi në Facebook shkroi se ajo nuk është thjeshtë problem i menaxhimit të mbeturinave, por sipas saj, është katastrofë ekologjike që po vret ngadalë banorët e kësaj zone.

“Poshtë saj ndodhen toka pjellore dhe livadhe ku fermerët kullosin bagëtinë, ndërkohë që nga deponia rrjedh lëngu i zi, i mbushur me substanca toksike dhe metale të rënda. Tymi dhe flaka herë pas herë nga zjarrjet aty e bëjnë edhe më të madh rrezikun për ajrin që thithin banorët e zonës”.
Ajo ka akuzuar Qeverinë Kurti për dështim në zgjidhjen e problemit, duke theksuar se vonesat kanë rritur dëmet dhe koston e ndërhyrjes, raporton Klankosova

“Për këtë gjendje dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Qeveria Kurti deri tash dështoi ta zgjidhë këtë problem. Për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, humbi mundësia të investoheshin me kohë 9 milionë euro nga BE-ja dhe 3 milionë euro nga Komuna e Pejës për mbylljen e kësaj deponie. Sot flitet se ky projekt nuk realizohet më as me 30 milionë euro. Ky është çmimi i papërgjegjësisë dhe i dështimit politik”.
Bajrami ka kërkuar veprime urgjente për mbylljen e deponisë, duke paralajmëruar rrezikun për shëndetin e banorëve dhe mjedisin.

“Më e keqja është se faturën nuk po e paguajnë qeveritarët, po e paguajnë qytetarët me shëndetin e tyre.Sferka nuk ka nevojë për arsyetime, ka nevojë për veprim urgjent. Çdo ditë vonesë e thëllon dëmin, e rrit koston financiare dhe mbi të gjitha e rrezikon jetën dhe shëndetin e njerëzve”, shkroi ajo.




Source link