LDK-ja nuk mund të vazhdojë pa reflektim – tri palë zgjedhje pa rritje kërkojnë përgjegjësi politike
1
Veprimtari i njohur i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, ka lëshuar një nga mesazhet më të qarta për gjendjen brenda partisë, duke kërkuar reflektim të thellë politik pas mungesës së rritjes elektorale në tri palët e fundit të zgjedhjeve nacionale.
Në emisionin televiziv “Debat Plus”, Dushi deklaroi se, pavarësisht përpjekjeve organizative dhe ndryshimeve të brendshme, LDK-ja nuk ka arritur të përmirësojë rezultatin zgjedhor. Sipas tij, ky realitet nuk mund të anashkalohet dhe kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë faktorët vendimmarrës në parti.
Ai theksoi se debati brenda LDK-së nuk ka për qëllim përplasjen e individëve apo imponimin e një kandidati për kryetar, por garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt, transparent dhe plotësisht demokratik, ku secili kandidat të ketë mundësi të barabarta.
Dushi u shpreh se LDK-ja ka personalitete të shumta që mund ta marrin përgjegjësinë për drejtimin e partisë, ndërsa përmendi si emra që janë diskutuar publikisht Përparim Ramën, Avdullah Hotin dhe Hykmete Bajramin. Megjithatë, ai nënvizoi se fokusi nuk duhet të jetë te emrat, por te ndërtimi i një procesi të besueshëm që rikthen unitetin dhe besimin e anëtarësisë.
“Mendoj që LDK-ja ka mjaftueshëm njerëz që mund ta marrin këtë përgjegjësi. Kjo nuk është një betejë për të sjellë dikë në krye të partisë. Emra ka mjaftueshëm. Në këtë fazë duhet të krijojmë kushte demokratike për zhvillimin e një procesi zgjedhor të mirëfilltë brenda LDK-së”, deklaroi Dushi.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur brenda LDK-së po shtohen zërat që kërkojnë analizë të rezultateve zgjedhore dhe një proces të ri politik, me synimin që partia të rikthehet si një alternativë më e fuqishme në skenën politike të Kosovës.