Dëgjojmë shqetësimet e qytetarëve, jo sulmet ndaj Policisë

July 2, 2026


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se qeveria dhe Partia Socialiste do të ulet pas pak ditësh me protestuesit që kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e mjedisit dhe për mënyrën e funksionimit të administratës shtetërore.

“Partia Socialiste e Shqipërisë, qeverisja e saj, pas pak ditësh do të vijë momenti kur do të ulet me protestuesit e vërtetë; ata që u ngritën për shqetësimet për natyrën dhe ata që protestojnë për arrogancën e çdo zyrtari që nuk e përdor detyrën në interes të shqiptarëve”, u shpreh Balla.
Kreu i grupit socialist shprehu mbështetje për Policinë e Shtetit, duke dënuar sulmet ndaj efektivëve dhe duke theksuar se “gjaku i punonjësit të policisë është gjaku i shtetit”. Ai paralajmëroi se kushdo që ushtron dhunë ndaj policisë do të përballet me ligjin.

Balla deklaroi gjithashtu se Kuvendi do të vijojë punën normalisht dhe se mazhoranca do të miratojë ligjet që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pavarësisht protestave apo bojkotit të opozitës.

Në fund të deklaratës, ai përsëriti ftesën për dialog me protestuesit paqësorë, duke u shprehur i bindur se “koha do ta sjellë këtë grup të distancuar nga dhuna tek ne”.

Balla kritikoi gjithashtu Prokurorinë, duke u shprehur se duhej të kishte nisur hetime ndaj personave që, sipas tij, bëjnë thirrje për dhunë dhe sulmojnë institucionet.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste tha se po bën detyrën duke drejtuar gishtin nga elementë kriminalë si Dritan Goxhajn që është i financuar nga Irani dhe tha se institucionet duhet të hetojnë deklaratat e tij apo Anton Frroku i kërkuar për dhunë në familje e që ndodhet mes turmës që sulmoi policët.




Source link