Sa paguhen donatorët në shtatzëni si të Julit? Këto janë shifrat nëpër botë
2
Debati për shtatzëninë pa partner të Juliana Nurës ka hapur një “kuti Pandore” në shoqërinë tonë, por ndërkohë që ne ende po ndajmë mendjen nëse është e drejtë apo jo, Europa e ka kthyer këtë në një sistem të kopsitur mirë ligjor. Dhe nëse menduat se rregullat janë njësoj kudo, e keni gabim! Çdo shtet ka “recetën” e vet se si e trajton këtë industri, duke filluar nga pagesat e majme e deri te heqja e plotë e privatësisë.
Le ta nisim me fqinjët tanë. Greqia njihet si një nga vendet ku donatorët paguhen më së miri në Europë. Edhe pse ligjërisht konsiderohet kompensim dhe jo rrogë, një donator atje mund të fitojë nga 200 e deri në 1,200 euro, varësisht nga klinika dhe numri i dhurimeve. Ajo që e bën Greqinë kaq të preferuar për gratë nga mbarë bota është ligji i rreptë i anonimitetit. Identiteti i dhuruesit mbetet sekret përgjithmonë dhe ai zhvishet nga çdo lloj përgjegjësie apo të drejte prindërore mbi fëmijën.
Spanja ndjek një model të ngjashëm sa i përket fshehtësisë. Sipas ligjit spanjoll, dhurimi është tërësisht një akt altruist dhe shitja e spermës është e jashtëligjshme. Megjithatë, klinikat ofrojnë rreth 30 deri në 50 euro për çdo vizitë si kompensim për kohën e shpenzuar, që në një cikël të plotë dhurimi arrin shumën e afro 900 eurove. Edhe atje, identiteti i dhuruesit është i mbrojtur me ligj dhe nuk i jepet asnjëherë nënës.
Por nëse shkojmë në veri të kontinentit, rregullat e lojës ndryshojnë drastikisht. Suedia është një pionere absolute në këtë fushë. Në vitin 2016, suedezët bënë një hap historik duke miratuar ligjin që lejonte pikërisht gratë beqare, të ngjashme me rastin e Julit, të kishin akses të plotë në trajtimet me spermë të dhuruar nga klinikat. Suedia është gjithashtu vendi i parë në botë që qysh në vitin 1985 e zhduku konceptin e donatorit anonim. Kur fëmija mbush 18 vjeç, ka të drejtë të plotë ligjore të kërkojë të dhënat e sakta të atij që ka dhuruar spermën. Pagesat atje janë të dizajnuara kryesisht si rimbursim shpenzimesh, duke kapur vlera nga 40 euro e lart për vizitë.
Një model të hapur ndjek edhe Gjermania, ku anonimiteti është rreptësisht i ndaluar. Fëmijët e lindur nga ky proces kanë të drejtë të njohin origjinën e tyre biologjike sapo mbushin 16 vjeç. Klinikat gjermane i shpërblejnë donatorët me rreth 80 deri në 130 euro për çdo vizitë. Pavarësisht nëse ligji mbron fshehtësinë si në Greqi e Spanjë apo i jep të drejtë fëmijës të njohë origjinën si në Suedi e Gjermani, e përbashkëta e gjithë Perëndimit është thelbësore: donatorët nuk kanë asnjë detyrim financiar apo prindëror. Ndërkohë që ata kanë ndërtuar këto korniza ligjore prej dekadash, tek ne ky diskutim ende po bën xhiro në rrjet pa gjetur qetësi.