Prishtina nuk ndalet, puna vazhdon pavarësisht bllokadave

July 1, 2026


Edhe përkundër pengesave dhe bllokimeve të vazhdueshme nga Qeveria, Kryeqyteti po vazhdon të ndryshojë pamjen e tij pothuajse çdo ditë, duke realizuar projektet dhe premtimet e Kryetarit Përparim Rama dhe ekipit të tij.

Investimet në infrastrukturë nuk janë ndalur. Përkundrazi, ato po vazhdojnë me intensitet, duke zgjidhur probleme të trashëguara prej vitesh dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Prishtinës.

Në terren, aty ku zhvillohet puna çdo ditë, është vazhdimisht i pranishëm edhe nënkryetari i Kryeqytetit, Florian Dushi. Gjatë vizitës së tij në dy prej punishtave më të rëndësishme, ai bëri të ditur se projektet po ecin sipas planit dhe ndajnë një qëllim të përbashkët: zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve.

Në rrjetin e tij social, Dushi shkruan:

“Sot vizituam dy punime të rëndësishme infrastrukturore në Kryeqytet.

• Në Taukbahçe po rregullohet rrjeti i ujërave të zeza, me qëllim eliminimin e kundërmimit dhe rikthimin e një ambienti më të pastër për qytetarët në këtë park të bukur të Kryeqytetit.

• Në rrugën ‘Ismail Dumoshi’ po sanohen problemet e kahershme të rrjetit të ujërave të zeza, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të mëdha për banorët. Njëkohësisht po vendoset sistemi i ri i ujësjellësit, ndërsa pas përfundimit të këtyre punimeve do të realizohet edhe asfaltimi i kësaj pjese të rrugës.

Qeveria e Kryeqytetit, e udhëhequr nga Kryetari Përparim Rama, po vazhdon me investime dhe punë konkrete që zgjidhin problemet e grumbulluara ndër vite dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.”




Source link