“U shqetësova shumë, ishte gjë e shëmtuar” / Rajmonda Bulku flet për herë të parë për incidentin e bujshëm në finalen e “Ferma VIP”
Aktorja e madhe e kinematografisë shqiptare, Rajmonda Bulku, ka qenë e ftuar së fundmi në një intervistë për emisionin “N’qytet me Maksin”, ku ndër të tjera ka folur edhe për një nga momentet më të sikletshme të ndodhura gjatë finales së madhe të “Ferma VIP”.
Për të gjithë ata që e kujtojnë, Rajmonda Bulku, së bashku me dy kolegët e saj të njohur, Arben Derhemi dhe Ndriçim Xhepa, u ftuan nga produksioni në natën finale për t’i bërë një surprizë aktores dhe shkrimtares Mimoza Ahmeti.
Qëllimi ishte që tre aktorët të interpretonin disa nga poezitë e saj më të bukura. Mirëpo, surpriza mori një rrjedhë të papritur kur Moza ndërpreu interpretimin, duke deklaruar publikisht se ato nuk ishin poezitë e saj dhe se në internet qarkullonin krijime me emrin e saj pa pasur autorësinë e tyre.
Ky reagim la të kuptohej se stafi i emisionit i kishte marrë poezitë thjesht nga një kërkim i shpejtë në Google, pa i verifikuar.
Lidhur me këtë situatë mjaft të komentuar, Rajmonda Bulku nuk e fshehu zhgënjimin dhe shqetësimin që ajo dhe kolegët e saj ndienë në ato momente:
“U shqetësova shumë, ashtu si edhe kolegët e mi, sepse ishte një gjë e shëmtuar që nuk na takonte neve. Shkuam me respekt dhe për të bërë punën tonë. Unë i kam librat e Mozës në shtëpi. Do të kisha zgjedhur vetë një poezi nga krijimtaria e saj dhe gjithçka do të kishte qenë shumë e thjeshtë.
Nuk do të dyshonte njeri që një produksion i atij niveli mund të sillte poezi të gjetura në internet, sipas pretendimeve të Mozës.”