Dr. Ilir Kurtishi: Synimi i mjekësisë moderne
4
Zhvillimet e reja në onkologji po ndryshojnë mënyrën se si mjekët e shohin trajtimin e kancerit.Gjithnjë e më shumë po synohet kontrolli afatgjatë i saj, duke i mundësuar pacientëve të jetojnë më gjatë dhe me cilësi më të mirë jete.
Këtë e theksoi onkologu dhe drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, ku foli për përparimet e fundit në trajtimin e sëmundjeve malinje dhe rolin e terapive moderne.Sipas tij, një nga synimet kryesore të mjekësisë moderne është që disa forma të kancerit të menaxhohen në mënyrë të ngjashme me sëmundjet kronike, si diabeti apo hipertensioni.
“Qëllimi është që nëse sëmundja është në stade të hershme të trajtohet sa më mirë, ndërsa nëse është e avancuar, të shndërrohet në një lloj sëmundjeje kronike. Njeriu të jetojë me të, me trajtim adekuat dhe me cilësi të mirë jete, njësoj si me diabetin apo tensionin e lartë”, tha Kurtishi.Ai shpjegoi se kjo po bëhet e mundur falë terapive të reja të personalizuara, analizave gjenetike të tumorit dhe zhvillimeve në fushën e inteligjencës artificiale, të cilat po ndihmojnë mjekët të identifikojnë më saktë karakteristikat e çdo tumori dhe të zgjedhin trajtimin më efektiv për secilin pacient.
“Përmes analizave të veçanta të indit tumoral ose të gjakut, ne mund të identifikojmë ADN-në e qelizave malinje dhe të përcaktojmë terapi që e targetojnë sëmundjen në mënyrë shumë më të saktë”, tha ai.Kurtishi theksoi se trajtimet moderne nuk bazohen më vetëm në vendndodhjen e tumorit, por edhe në profilin e tij molekular dhe gjenetik.
Kjo qasje po hap mundësi të reja për kontrollimin e sëmundjes për periudha më të gjata kohore.Sipas onkologut, pikërisht ky është drejtimi ku po ecën mjekësia bashkëkohore: ta kthejë kancerin nga një diagnozë shpesh fatale në një sëmundje që mund të mbahet nën kontroll për vite me radhë.
“Ky është qëllimi i onkologjisë moderne sot – që pacientët të jetojnë më gjatë, me trajtime më të sakta dhe me një jetë sa më cilësore”, përfundoi Kurtishi.