Ndodh pas 20 vitesh, Europa përgatitet për eklips diellor; kur dhe ku mund të shihet

June 6, 2026


Një eklips total diellor do të krijojë një spektakël të rrallë në qiell më 12 gusht, duke shënuar eklipsin e parë të plotë diellor të dukshëm në botë pas më shumë se dy vitesh.

Eklipsi total ndodh kur Hëna kalon midis Tokës dhe Diellit, duke hedhur hijen e saj mbi planetin dhe duke bllokuar plotësisht dritën e Diellit në zona të caktuara. Gjatë kësaj faze, e njohur si “totaliteti”, qielli errësohet për pak çaste dhe kurora diellore bëhet e dukshme.

Sipas NASA-s, vëzhguesit në pjesë të Groenlandës, Islandës, Spanjës veriore dhe Portugalisë verilindore do të mund të shohin eklipsin e plotë, ndërsa një eklips i pjesshëm do të jetë i dukshëm në pjesë të Evropës, Afrikës dhe Amerikës së Veriut.

Një ngjarje e veçantë për Evropën
Eklipsi i fundit total diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale ndodhi në vitin 2006. Ndërkohë, ngjarja e këtij viti ka rëndësi të veçantë për Spanjën, pasi do të jetë eklipsi i parë total diellor i dukshëm nga territori kontinental spanjoll që nga viti 1905.

Ky është gjithashtu i pari nga tre eklipset diellore që Spanja pritet të përjetojë deri në vitin 2028.

“Një eklips total diellor është një nga ato momente të rralla kur miliona njerëz mund të shikojnë lart së bashku dhe të ndiejnë habi dhe kuriozitet”, deklaroi Carole Mundell, drejtoreshë e shkencës në Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA).

Ku do të shihet eklipsi?
Shtegu i totalitetit do të shtrihet për rreth 8.300 kilometra. Fenomeni do të nisë mbi rajonet arktike, do të kalojë pranë Polit të Veriut dhe më pas do të vijojë mbi Groenlandë, Islandë, Portugali dhe Spanjën veriore.

Në Groenlandë, vëzhguesit do të kenë mundësinë të shohin më shumë se dy minuta eklips të plotë. Në Spanjën veriore, totaliteti pritet të zgjasë rreth 20 sekonda, në varësi të kushteve atmosferike.

Në territorin spanjoll, eklipsi do të kalojë mbi Galician dhe më pas mbi Ishujt Balearik, duke krijuar një efekt të veçantë teksa përkon me orët e mbrëmjes dhe afrimin e perëndimit të Diellit.

Për ata që nuk ndodhen në zonat ku fenomeni do të jetë i dukshëm, ESA ka njoftuar se do të transmetojë drejtpërdrejt eklipsin nga Observatori Astrofizik i Javalambre në Spanjë.

Kur do të ndodhë eklipsi i ardhshëm?
Sipas NASA-s, eklipsi i ardhshëm total diellor do të ndodhë më 2 gusht 2027 dhe do të jetë i dukshëm nga Spanja jugore, Afrika e Veriut, Arabia Saudite dhe Jemeni.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të duhet të presin deri më 30 mars 2033 për të parë një tjetër eklips total diellor, i cili do të jetë i dukshëm vetëm nga Alaska.

Si të vëzhgohet në mënyrë të sigurt?
Ekspertët paralajmërojnë se Dielli nuk duhet të shihet kurrë drejtpërdrejt pa mbrojtjen e duhur të syve.

Vëzhguesit duhet të përdorin syze të certifikuara për eklipse ose filtra të posaçëm diellorë. Syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme dhe nuk duhet të përdoren për këtë qëllim.

Po ashtu, nuk rekomandohet shikimi i Diellit përmes teleskopëve, dylbive apo kamerave pa filtra të posaçëm, pasi përqendrimi i rrezeve mund të shkaktojë dëmtime serioze të syve.

Çfarë mund të mësojnë shkencëtarët nga eklipsi?
Eklipset diellore ofrojnë mundësi të rralla për studimin e Diellit dhe të kurorës së tij, shtresa më e jashtme e atmosferës diellore.

Gjatë eklipsit të 12 gushtit, studiuesit planifikojnë të lëshojnë balona në lartësi të mëdha për të fotografuar hijen e Hënës dhe për të kryer matje shkencore në atmosferë.

Një pjesë e eksperimenteve synojnë të rikrijojnë studimin historik të vitit 1919, i cili ndihmoi në konfirmimin e teorisë së relativitetit të përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit.

Agjencia Evropiane e Hapësirës ka ftuar gjithashtu qytetarët të marrin pjesë në projekte shkencore, duke matur ndryshimet atmosferike që ndodhin gjatë errësimit të përkohshëm të qiellit.




Source link