Defilim skandaloz i maturantëve serbë në Mitrovicë të Veriut me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”
1
Maturantët e shkollës fillore “Sveti Sava” dhe të disa shkollave të tjera në Mitrovicë të Veriut kanë organizuar sot një defilim në rrugët e qytetit për të shënuar përfundimin e vitit shkollor, duke e shndërruar festimin në një manifestim me simbolikë të theksuar nacionaliste serbe.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale dhe mediat lokale serbe, nxënësit kanë marshuar me flamuj serbë, trumbeta dhe fishekzjarre, ndërsa gjatë gjithë tubimit janë dëgjuar brohoritje nacionaliste si “Kosova është zemra e Serbisë”.
Në video shihen gjithashtu maturantë të veshur me simbole kombëtare serbe dhe duke bërë simbolin e tre gishtave, i përdorur gjerësisht në manifestime nacionaliste serbe.
Festimi nisi para ambienteve të shkollës, prej nga maturantët vazhduan drejt qendrës së Mitrovicë të Veriut dhe monumentit të Car Lazarit, vend që shpesh përdoret për tubime me përmbajtje politike dhe nacionaliste nga strukturat serbe në veri.
Mediat lokale në gjuhën serbe raportuan se maturantët e shkollave “Sveti Sava”, “Branko Radičević”, si dhe të shkollave të mesme teknike dhe ekonomike, organizuan defilim të përbashkët nëpër rrugët e qytetit.
Pamjet dhe retorika e përdorur gjatë këtij organizimi kanë nxitur reagime për shkak të glorifikimit të narrativave nacionaliste serbe në një zonë të ndjeshme të Kosovës, vetëm pak vite pas tensioneve të dhunshme në veri dhe sulmeve ndaj institucioneve të sigurisë dhe trupave të KFOR-it.
Manifestime të ngjashme janë organizuar edhe në vitet e kaluara në veri të Mitrovicës dhe Zveçan, ku maturantë serbë kanë defiluar me flamuj serbë dhe slogane nacionaliste.