Kurti shpjegon rolin e xhandarmërisë së Kosovës, cilat pritet të jenë detyrat?
3
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media të enjten ka shpjeguar rolin e xhandarmërisë së Kosovës.
Sipas Kurtit, mandati i xhandarmërisë do të përfshijë sigurimin e vijës kufitare, ujore dhe ajrore në mbarë territorin e Kosovës. Pos tjerash, xhandarmëria pritet të ketë operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, në karakterin para-ushtarak, shkruan Insajderi.
“Parandalimi dhe luftimi i të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, si me mallra dhe emigrantë. Menaxhimi i situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimi i infrastrukturës kritike”, ka thënë Kurti ndër të tjera, teksa ka shpjeguar rolin e xhandarmërisë.
Modeli i xhandarmërisë së Kosovës, sipas Kurtit, do të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe rrethanat e vendit.
“Tashmë grupi punues është duke punuar në analizimin e të gjitha aspekteve të formimit të xhandarmërisë. Themelimi dhe funksionalizimi i xhandarmërisë do të bëhet me ligj të veçantë në legjislaturën e 11-të”, tha Kurti.