Dyshohet se u hodh nga kati i 9-të – vdes tragjikisht një grua në Ferizaj

May 27, 2026


Një ngjarje e rëndë ka tronditur Ferizajn mbrëmjen e 26 majit, ku një grua është gjetur pa shenja jete pranë një objekti banesor, ndërsa dyshimet e para çojnë drejt vetëvrasjes, mëson Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Nazlishahe Ramadani.

Rasti është raportuar rreth orës 18:45 në rrugën “Halim Spahija”, ku Policia është njoftuar se prapa një ndërtese banimi ndodhej një grua e shtrirë në tokë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë reaguese të Policisë, ekipet emergjente mjekësore, hetuesit policorë dhe forenzika.

Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje, ndërsa fillimisht sipas raportit mjekësor dyshohej për arrest kardiak.

Megjithatë, pas ekzaminimeve të mëtejshme nga hetuesit dhe zyrtarët e mjekësisë ligjore, në trupin e viktimës janë vërejtur dëmtime dhe thyerje të shumta, çka ka ngritur dyshime se ajo mund të ketë rënë nga lartësia.

Sinjali mëson se gjatë ekzaminimit të objektit banesor, në katin e nëntë afër një dritareje janë gjetur një karrige dhe një palë mbathje, rrethana që kanë shtuar dyshimet se viktima mund të jetë hedhur nga banesa ku jetonte.

Në vendngjarje ka dalë edhe Prokurori kujdestar për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion dhe sqarim të plotë të rrethanave të vdekjes.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.




Source link