Dhunë në sy të foshnjës 6-muajshe në Pejë – burri rrah gruan, përfundon në ndalim
1
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar mbrëmjen e 26 majit në Pejë, ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj derisa ndodheshin në banesë me foshnjën e tyre 6-muajshe, mëson Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Ali Pashë Tepelena”, ku Policia ishte njoftuar për një konflikt verbal mes një çifti.
Me të arritur në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka takuar viktimën F. Gj, e cila ka deklaruar verbalisht se ishte dhunuar nga bashkëshorti i saj, R. Gj.
Sinjali mëson se edhe i dyshuari është hasur në lokacion dhe është shoqëruar menjëherë në Stacionin Policor, ndërsa viktima dhe dy dëshmitarët e rastit janë paraqitur më pas në Polici për intervistim.
Për shkak të një lëndimi që kishte në mjekër, viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor në spital, e më pas është kthyer në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje.
Sipas deklarimit të saj, ajo kishte qenë në banesë me bashkëshortin dhe foshnjën e tyre 6-muajshe, kur i dyshuari e kishte sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima ka deklaruar gjithashtu se, ndonëse kishte përjetuar dhunë, nuk kishte qenë ajo që e kishte njoftuar Policinë për rastin.
Në lidhje me ngjarjen janë intervistuar edhe dy dëshmitarët, S. dhe S Gj, ndërsa i dyshuari është intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje – Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.