Mbesa e Benito Mussolinit e fiton Big Brother VIP në Itali
1
Alessandra Mussolini, mbesa e diktatorit italian Benito Mussolini, është shpallur fituese e edicionit të fundit të “Grande Fratello VIP” (versioni italian i “Big Brother” me personazhe të njohur), format që në Itali transmetohet prej rreth një dekade.
Mussolini ka fituar çmimin prej 100 mijë euro, duke bërë të ditur se gjysmën e shumës do ta dhurojë për bamirësi.
Pas fitores, ajo u shpreh: “E shijova gjithçka deri në fund, ashtu siç jam. Nuk pendohem për asgjë”.
Alessandra Mussolini është një figurë që shpesh ka shkaktuar reagime të forta në publik, veçanërisht kur diskutohet mbiemri i saj dhe historia familjare. Në të kaluarën, ajo ka qenë në qendër të polemikave edhe për faktin se nuk është distancuar në mënyrë të qartë nga trashëgimia politike e gjyshit të saj dhe regjimi fashist.
Përtej reality show-t, Mussolini ka një profil të njohur publik në Itali. Ajo është vajza e Romano Mussolini (djali më i vogël i Benito Mussolinit) dhe Maria Scicolone, motra e aktores së famshme Sophia Loren. Në karrierën e saj ka qenë edhe deputete në Parlamentin Evropian, si dhe ka shërbyer në të dyja dhomat e Parlamentit italian.
Ndër vite, ajo ka qenë e angazhuar në disa formacione politike, duke përfshirë një parti të vogël të ekstremit të djathtë, më pas Forza Italia të Silvio Berlusconit, ndërsa aktualisht lidhet me partinë Lega, pjesë e qeverisjes në Itali.
Para se të hynte në politikë, Alessandra Mussolini ka punuar edhe në botën e spektaklit, si modele, aktore dhe këngëtare, ndërsa në vitin 2020 mori pjesë në “Ballando con le stelle” (versioni italian i “Dancing with the Stars”), ku u rendit e treta.