Nuk e njoh as kush e ka bërë as pse fola me djalin – Kape Lajmin
Në Gjykatën e Posaçme u paraqitën këtë të mërkurë Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur Reigels Rajku ose siç njihet me emrin e artit, Noizyt, si edhe motra e tij. Ata janë thirrur për të dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Teksa me kërkesë të SPAK, Gjykata hoqi dorë nga pyetja e motrës së reperit, është zbardhur dëshmia e babait të tij, Bashkim Rajku. Në lidhje me ngjarjen kriminale të regjistruar 4 vite më parë kur iu vendos tritol lokalit të Noizy-t në Durrës.
Gjatë dëshmisë Bashkim Rajku ka deklaruar se nuk e mban mend mirë ngjajren, por thjesht se kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë zbritur për të parë biznesin. Ai më tej ka dëshmuar se nuk ka informacion më tepër përpos atyre që i quajti çështje xhelozie mes të birit, Noizy-t dhe Clevios, për të cilat tha se lidheshin me muzikën dhe çdo gjë e kishte dëgjuar nga mediat.
Bashkim Rajku: Para 4 vjetësh ka ndodhur një shpërthim me tritol në biznesin tim. Kam qenë në gjumë, morëm vesh për ngjarjen, shkuam poshtë dhe gjetëm lokalin të shkatërruar. Banesa është në kat të pestë të të njëjtit objekt. E kemi dëgjuar zhurmën. Aty punonte stafi, shitëset, nuk kanë qenë punë, ka qenë i mbyllur lokali. Lokali ka qenë 3-4 vjet përpara ngjarjes i hapur si aktivitet. Nuk kujtoj emra punonjësish, ka 4 vjet janë ndryshuar disa herë. Aktiviteti drejtohet nga goca ime, Anisa, sepse s’kemi vetëm këtë biznes, kemi 5-6 të tjerë që administron vajza. Anisa ndodhej jashtë vendit atë kohë. Djali (Rigersi) ka qenë në gjumë, se ka ndodhur orar i vonë, nuk e mbaj mend, mund të ketë qenë jashtë vendit. Djali jeton shtëpi vetëm, në të njëjtin pallat. Kam qenë i stresuar se kam patur mendjen kush ka zbritur kush jo. O zotëri (prokurorit) jam 65 vjeç, nuk mbaj mend çfarë kam ngrënë dje, ju më pyesni erdhi djali apo jo, ku mbaj mend gjithë ajo kohë. Kur zbritëm ishin thyer xhamat, materialet brenda ishin dëmtuar. Është i vendosur lokali në katin zero. Kamara ka patur, nuk di nëse kanë qenë në punë, roje nuk ka patur. Me djalin fola, as nuk njoh kush e ka bërë as pse. S’kam konflikte për çështje drejtësie. Djali artist është, ku di unë nëse ka patur konflikt a debat. Çështje xhelozie a rinie ku di unë, ça kam marrë vesh nëpër media. Kaq! Cleviol Ahmetin e kemi dëgjuar, edhe ai artist këngëtar ça është. Di që merret me rrjete sociale, ka patur fërkime të vogla punë xhelozie me djalin tim, kaq di. Më duket se nga Lushnja është. Emrin e tij e besoj e kam dëgjuar edhe më përpara se të ndodhte ngjarja. Lulzim Spahija s’më kujton asgjë si emër. Kur flas për xhelozi e kam për punë muzike. Nuk mbaj mend të ketë patur ndonjë konflikt fizik mes tyre.
Familjarët e Noizyt bëjnë pjesë në listën prej rreth 60 dëshmitarësh të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po përballet me akuza për drejtimin e një grupi kriminal të strukturuar. Ai dyshohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre vrasje, atentate, shpërthime me eksploziv dhe grabitje me armë.