Shpërfytyrimi i Ilir Metës/ Reagon Monika Kryemadhi: “E kishin bërë enkas…”
Pas reagimeve të shumta në rrjet dhe media lidhur me pamjen e ish-presidentit Ilir Meta në seancën e fundit gjyqësore, ka ardhur edhe reagimi i Monika Kryemadhit.
Gjatë një interviste, ajo ka sqaruar arsyet e këtij transformimi fizik, duke e cilësuar procesin si tërësisht politik dhe një formë presioni psikologjik.
Kryemadhi theksoi se pavarësisht transformimit vizual, gjendja e tij mendore dhe qëndrimi mbeten të palëkundura.
Ajo shpjegoi se rënia në peshë dhe zverdhja vijnë si pasojë e drejtpërdrejtë e kushteve të izolimit dhe mungesës së ajrimit në diell.
“Po të shohësh posturën e Ilir Metës është më i drejtë se ç’e ka patur. Kostumin e ka patur 56, duhet ta kishte 52. Nga mendja dhe të shprehurit ishte snajper. Nga imazhi dukej i pagjumë, i bardhë, nuk del në diell dhe ky është një nga problemet që ka.”
Një detaj tjetër që ngjalli reagimin e saj të ashpër ishte mbajtja e ish-kreut të shtetit brenda një “kafazi” xhami gjatë seancës.
Kryemadhi e krahasoi këtë masë me trajtimin ekstrem që iu bëhet terroristëve (duke përmendur rastin e një terroristi në Francë që kishte vrarë qindra persona).
Ajo e konsideroi këtë si një lëvizje të qëllimshme nga Ministria e Drejtësisë, të amplifikuar nga mediat pranë qeverisë, për të krijuar një imazh denigrues dhe për të ushtruar presion psikologjik mbi të.
Përtej pamjes fizike, Kryemadhi u tregua e prerë për vetë thelbin e procesit juridik, duke e cilësuar atë si një goditje të stisur politike, të nisur nga ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Pavarësisht rrethanave dhe raporteve personale, ajo theksoi se ndjenja e respektit për Metën si babai i fëmijëve të saj vazhdon.
Ndërkohë, zbuloi edhe rutinën e re të familjes: fëmijët, me radhë dhe së bashku me motrën e tij, presin shpesh gjatë gjithë ditës për ta takuar një herë në javë dhe për t’i dërguar ushqime.