Sulmohet autosalloni në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

April 26, 2026


Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 prillit, në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, ku persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të një autosalloni.

Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 deri në 00:25, kur të dyshuarit, të veshur me rroba të zeza dhe me helmeta në kokë, duke lëvizur me një motoçikletë, kanë hapur zjarr ndaj objektit. Si pasojë e të shtënave, janë dëmtuar rreth gjashtë vetura si dhe katër xhama të autosallonit, shkruan Insajderi.

Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar 16 gëzhoja, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në hetime. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa vlera e dëmeve materiale ende nuk është përcaktuar.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë sulm.

 






Source link