Shumë pikëpyetje mbeten ende pa përgjigje rreth vdekjes së 19-vjeçares në Kefaloni, një rast që ka tronditur opinionin publik. Tre të rinjtë e përfshirë duket se ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit, ndërsa 22-vjeçari shqiptar dhe ish-sportisti drejtojnë gishtin nga 23-vjeçari, shoku i vajzës.
Ndërkohë, materialet filmike dhe e kaluara e personave të përfshirë shtojnë elementë të rinj në hetim, por pa dhënë ende një përgjigje të qartë.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes mbetet i paqartë, ndërsa priten rezultatet e analizave toksikologjike që mund të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.
Nëna e 22-vjeçarit tha sot për newsit.gr që citon noa.al se djali i saj nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se e vërteta do të dalë në dritë shumë shpejt.
“Nuk ka qenë kurrë i përfshirë me lëndë narkotike”
“Djali im nuk është i përfshirë në asgjë. Ai thjesht doli për të ndihmuar, nuk e njihte vajzën, ishte me të dashurën e tij. Nuk e di as si u gjend aty 26-vjeçari, i cili gjithashtu nuk ka faj. Ai kishte shkuar vetëm për të përshëndetur 23-vjeçarin. Fëmijët nuk kanë bërë asnjëherë krim. Gjithçka që thuhet janë gënjeshtra”, shprehet ajo.
Ajo shton gjithashtu se djali i saj nuk ka pasur asnjëherë lidhje me drogën.
“26-vjeçari është kushëri me 23-vjeçarin dhe e kishte lutur të shkonte ta takonte. Nuk i kishte dhënë drogë. Djali im nuk është i tillë. As ai, as ish-sportisti. I kam rritur vetë këta fëmijë. Nuk mund ta kenë bërë këtë. Kemi punuar fort për t’i rritur dhe nuk i kemi edukuar kështu. Gjithçka që thuhet janë gënjeshtra.
Kur ai shkoi ta takonte, vajza kishte humbur ndjenjat. Kishte marrë një dozë të fortë – nuk dihet kush ia dha apo nëse e mori vetë, sepse askush nuk të detyron me zor. Kam dy djem dhe nuk i kam rritur për të vrarë njerëz. Kanë shpirt. Nuk është siç thuhet. Do ta shihni që gjithçka do të përmbyset”, vazhdon nëna.
“Në video duket që përpiqen ta ndihmojnë”
“Në pamjet filmike shihet që po e çojnë për ta dorëzuar tek ambulanca, donin ta ndihmonin”, shton ajo.
“Në video duket që dalin nga dhoma dhe largohen me vajzën në krahë, duke e dorëzuar te ambulanca. Po, djali im ishte bashkë me ish-peshëngritësin. Bashkë e dorëzuan. Nuk e njihnin fare vajzën.”
Pak orë para se 19-vjeçarja të humbiste jetën, nëna kishte folur me djalin dhe i kishte thënë të bënte kujdes.
“Nuk dija asgjë, isha në udhëtim, kisha 10 ditë larg. Flisja me djalin dhe e pyesja ‘ku je?’ dhe më thoshte ‘në shtëpi’. Në orën 22:00 folëm për herë të fundit, më pas fjeta sepse do udhëtoja të nesërmen. I thashë ‘kujdes’, si çdo nënë. Nuk më telefonoi për të më treguar çfarë kishte ndodhur, nuk donte të më shqetësonte gjatë udhëtimit. E mora vesh kur mbërrita.”
Ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi dhe nëna nuk arrinte të kontaktonte djalin për të kuptuar çfarë kishte ndodhur.
“E telefonova dhe më tha ‘mami, nuk janë të vërteta ato që ke dëgjuar’, që të mos shqetësohesha. Jam e sëmurë, kam një aftësi të kufizuar. Pse duhet ta kaloj këtë? Telefoni i djalit ishte i fikur, nuk mund ta gjeja”, përfundon ajo.
Sipas të dhënave, 22-vjeçari hyri në godinën me dhomat me qira në orën 03:27 me telefonin në dorë dhe u drejtua për në dhomën ku ndodheshin Myrto, 23-vjeçari dhe ish-sportisti.
Qëndroi aty rreth një orë dhe, siç shihet në pamjet filmike, në orën 04:31 zbret shkallët drejt daljes, ndërsa pas tij vjen 26-vjeçari duke mbajtur në krahë 19-vjeçaren pa ndjenja.
Fillimisht, të tre të arrestuarit akuzoheshin për lënie në rrezik të një personi, por pas zhvillimeve të reja, akuza u rëndua dhe u kthye në vrasje me dashje përmes mosveprimit.