U gjend pa ndjenja në fund të pishinës, aktorja e njohur në gjendje kritike për jetën
1
Aktorja franceze Nadia Fares ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është vendosur në koma të induktuar pas një incidenti serioz që ka ndodhur në një pishinë në Paris.
Sipas raportimeve të mediave franceze, përfshirë Le Parisien, ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 11 prill, gjatë kohës kur 57-vjeçarja po stërvitej në një kompleks sportiv në kryeqytetin francez.
Dyshohet se aktorja ka qëndruar nën ujë për disa minuta pa arritur të dalë në sipërfaqe. Dy persona të pranishëm në pishinë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e nxjerrë nga uji dhe duke konstatuar se ajo nuk po merrte frymë.
Ata kanë nisur menjëherë reanimacionin kardiopulmonar (CPR), ndërsa në vendngjarje është përdorur edhe një defibrilator deri në mbërritjen e shërbimeve të emergjencës. Ndërhyrja e shpejtë e dëshmitarëve ka qenë vendimtare për rikthimin e funksioneve jetësore, megjithatë gjendja e saj vijon të mbetet kritike.
Aktualisht, Fares ndodhet e shtruar në spital dhe po mbahet nën kujdes intensiv mjekësor në koma të induktuar, ndërsa mjekët po monitorojnë vazhdimisht gjendjen e saj.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë nisur një hetim për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit në pishinë. Sipas informacioneve paraprake, nuk dyshohet për ndonjë veprim të qëllimshëm, por po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e ngjarjes.