Policia e Shtetit ka dhënë detaje nga operacioni i koduar “Ghost Call”, i zhvilluar dy ditë më parë në Tiranë, në kuadër të goditjes së mashtrimit përmes “Call Center”-ave”. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni u finalizua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas policisë, operacioni është rezultat i një hetimi të thelluar që ka zgjatur rreth dy vjet. Hetimet nisën pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, çka çoi në identifikimin dhe dokumentimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, u lejua kontrolli i ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet e dyshuara, si edhe kontrolli i banesave të nëntë shtetasve. Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan operatorë të ndryshëm në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, duke mundësuar, sipas policisë, dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u caktuan masat e sigurimit “arrest me burg” për shtatë shtetas. Masat u ekzekutuan për E.D., i datëlindjes 24.10.1978; M.H., i datëlindjes 14.07.2002; T.A., i datëlindjes 19.06.2003; L.T., i datëlindjes 28.08.1993; dhe Xh.M., i datëlindjes 05.12.1997. Ndërsa për Xh.H., i datëlindjes 10.06.1995, dhe M.L., i datëlindjes 04.12.1997, u bë shpallja në kërkim. Po ashtu, gjykata caktoi masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për dy shtetas. Sipas policisë, masa është ekzekutuar për shtetasen A.V., e datëlindjes 29.12.1993. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe pesë persona të tjerë, të cilët, sipas autoriteteve, u kapën duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm.
Bëhet fjalë për shtetasit K.B., i datëlindjes 06.04.1988; E.H., i datëlindjes 17.11.2000; B.B., i datëlindjes 02.10.2001; K.D., i datëlindjes 15.12.2001; dhe E.T., i datëlindjes 04.08.1994. Në kërkim është shpallur edhe D.J., i datëlindjes 02.08.2002. Nga veprimet hetimore, sipas policisë, këta shtetas janë identifikuar si persona me rol të rëndësishëm në strukturën e aktivitetit kriminal, kryesisht në funksionin e drejtuesve të ekipeve. Ekzekutimi i vendimeve u krye nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe në koordinim me hetues nga autoritetet austriake, si edhe me ekspertë të Europolit, të cilët morën pjesë në operacion. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan 891 735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin kriminal. Konkretisht, policia njoftoi sekuestrimin e 443 kompjuterëve, 238 telefonave celularë, 6 laptopëve, si edhe pajisje të tjera si HDD dhe DVR.