VIDEO- Sulm me armë në një shkollë, raportohet për 16 persona të plagosur në Turqi! Momenti kur nxënësit largohen me vrap të tmerruar

April 14, 2026


Një sulm me armë zjarri është raportuar në mëngjes në Sanliurfa, në jug të Turqisë, ku një person i armatosur dyshohet se ka hyrë në një shkollë profesionale në zonën e Siverek dhe ka hapur zjarr.

Sipas mediave lokale, nga të shtënat janë plagosur të paktën 16 persona, mes tyre edhe nxënës. Ngjarja ka shkaktuar panik të madh në ambientet e shkollës, ndërsa në vendngjarje janë dislokuar forca të shumta policie dhe njësi të operacioneve speciale.

Raportohet se autori i dyshuar ka qëndruar brenda godinës së shkollës për një periudhë kohe dhe, sipas burimeve paraprake, mund të ketë mbajtur peng disa nxënës. Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë marrë masa të forta sigurie për të kontrolluar situatën.

Ndërkohë, mediat lokale kanë publikuar pamje ku nxënës shihen duke u larguar me vrap nga ndërtesa në momentin kur kanë nisur të shtënat, duke reflektuar panikun e krijuar në vendngjarje.

Autoritetet turke vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





Source link