Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur 6 ditë më parë (10 mars) ku iu vendos tritol makinës së Oltion Klosit. Për këtë ngjarje policia arrestoi 7 persona, ndërsa dyshohet se porositësi është Sabah Nuzi 33 vjeç, i cili aktualisht është në burgun e Fushë Krujës.
Po kush është Sabah Nuzi?
33-vjeçari Nuzi akuzohet se ekzekutoi Klevis Lleshit kundrejt 50 mijë eurove, ngjarje e ndodhur një vitë më parë.
Nuzi është arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Sabah Nuzi ka luajtur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje.
Nuzi rezulton me precedentë të theksuar kriminale. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Aktualisht Nuzi ndodhet në burgun e Fushë-Krujës i akuzuar për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Fshehja ose asgjesimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Organizata kriminale”.
LEXO EDHE: Shpërthimi me tritol në makinën e 36-vjeçarit, policia zbardh ngjarjen dhe arreston 7 persona: Janë grup kriminal, ja roli i secilit! U porosit nga…(EMRAT)
Të arrestuarit per vendosjen e tritolit
Policia thotë se për vendosjen e tritolit në makinën e Oltion Klosit në pranga kanë rënë 7 persona të përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa dyshohet se ata vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal.
Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama, Eklips Leti, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla. Ndërsa porositësi dyshohet se është Sabah Nuzi, aktualisht në burg.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Jurgen Gjonaj dyshohet të jetë autori që ka vendosur dhe aktivizuar lëndën plasëse. Ai dyshohet se është ndihmuar nga shtetasit Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, të cilët i kanë siguruar fotografitë dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur, banesën ku është strehuar, si dhe sasinë e lëndës eksplozive.
Sipas policisë, shtetasi Sabah Nuzi aktualisht i paraburgosur në IEVP Fushë-Krujë dhe i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet të jetë porositësi i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin e shtetasit Oltion Klosi.
Ndërkohë, shtetasit Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin Jurgen Gjonaj në datën 10 mars 2026.