Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi pas vendimit të socialistëve për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se sot Rama hoqi maskën dhe tregoi se po mbron veten e tij.
Kreu i opozitës theksoi se “de facto Lubia nuk ka qenë asgjë tjetër veçse noterë e vjedhjeve 25 vjeçare”, ndërsa shtoi se tani fjalën e kanë qytetarët shqiptarë.
“Sapo dëgjuat tërkuzën të Edi Ramës për Lubi Ballukun në fakt, elegjinë e tij për veten e tij dhe për Lubinë. Sot Edi Rama hoqi cdo lloj maske dhe doli publikisht në mbrojtje totale duke vënë në peng kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian.
Rama ju tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme, se SKAPI është një zero me bisht dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit. Ai mori në mbrojtje totale veten e tij, sepse de facto Lubia nuk ka qenë asgjë tjetër veçse noterë e vjedhjeve 25 vjecare të këtij hajduti. Rama, sot sfidoi çdo shqiptar”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha u shpreh se sulmi që Rama i bën drejtësisë është sulm ndaj çdo qytetari shqiptar. Me vendimin e sotëm për Ballukun, Berisha deklaroi se “Rama qëndron mbi ligjin”.
“Të dashuri qytetarë nuk është një sulm ndaj drejtësisë kjo që po bën, sepse në këtë drejtim drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj. Ky është një sulm me të cilin Rama ju thotë se ai qëndron mbi ligjin dhe si një narkodiktator vendos në këtë vend për gjithçka dhe për çdo gjë. AI sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm ti përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër shqiptarëve dhe mbylljes së dyerve të integrimit në BE. Asnjë prej jush nuk duhet të pranojë këtë narativë. Është çështja e Edi Ramës. Vjedhjet e tij tejkalojnë miliarda”, tha Berisha.