Oda Ekonomike Amerikane paralajmëron, kriza politike po rrezikon ekonominë e Kosovës

April 10, 2026


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në një deklaratë për media, ka shprehur shqetësimin e thellë përkitazi siç thuhet, me brishtësinë e vazhdueshme institucionale në vend, të karakterizuar nga “kriza e stërzgjatur politike dhe mungesa e vullnetit të partive politike për arritjen e konsensusit për çështjet e rëndësisë shtetërore.”

Sipas OEK, pas pothuajse një viti të plotë të reformave të ndalura në vitin 2025, ekziston rreziku real që edhe viti 2026 mund të jetë një vit i progresit të kufizuar në aspektin e reformave.

“Në kohën kur Kosova mbetet ndër ekonomitë më së paku të zhvilluara të Evropës, vonesat e tilla nuk janë vetëm procedurale, por bartin edhe kosto të lartë ekonomike.” – thuhet tutje në komunikatë.

Kjo odë, qeverisjen aktuale e quan të dobët në aspektin ekonomik

“Qeverisja e dobët ekonomike, e kombinuar me pasigurinë politike, minon momentumin e reformave, vonon transformimin strukturor dhe dobëson besimin e investitorëve. Kosova nuk mund të përballojë vazhdimin e një ngërçi institucional, derisa përballet me sfida të brendshme e me pasoja nga ndikimet e jashtme.”

Po ashtu, OEK e ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e konsideratës nga ana e Qeverisë për të rishikuar regjimin fiskal për karburantet, veçanërisht në dritën e krizës aktuale në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të saj në furnizimin dhe çmimet globale të energjisë.

“Në disa shtete anëtare dhe joanëtare të Bashkimit Evropian, qeveritë kanë ndërmarrë masa për të zbutur efektet e goditjeve të jashtme. Mungesa e rishikimeve të ngjashme të politikave në Kosovë rrezikon të rrisë presionin e kostove mbi bizneset, të dëmtojë aftësinë konkurruese, si dhe të rris barrën e konsumatorëve.

Derisa këto shqetësime pasqyrojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë të sektorit privat ndaj presioneve ekonomike, raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën thekson se pasiguria politike tashmë ka ngadalësuar rritjen në 3.6 për qind në vitin 2025, ka rritur inflacionin dhe ka dobësuar pozicionin e jashtëm të Kosovës për shkak të rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimit, ndërkohë që rreziqet mbeten të orientuara kah përkeqësimi në një kontekst paqëndrueshmërie dhe lëvizje të vazhdueshme të çmimeve në nivel global. FMN thekson po ashtu se bllokada njëvjeçare politike ka vonuar reformat thelbësore dhe ka penguar progresin drejt përafrimit me BE-në.”

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka theksuar se funksionaliteti institucional dhe parashikueshmëria e politikave janë thelbësore për adresimin e këtyre sfidave.

“Ruajtja e stabilitetit makroekonomik duhet të jetë e bashkërenduar me përshpejtimin e reformave strukturore, përmirësimin e konkurrueshmërisë, duke siguruar që reagimet institucionale të bëhen në kohë dhe të jenë në proporcion me sfidat aktuale.

Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se forcimi i dialogut të strukturuar publiko–privat është thelbësor për qeverisje të efektshme ekonomike, duke mundësuar zhvillim gjithëpërfshirës të politikave, parashikueshmëri më të madhe për bizneset dhe një përgjigje të koordinuar ndaj sfidave urgjente ekonomike të vendit.”






Source link