Organizonte baste sportive në lokalin e tij, pranga 37-vjeçarit në Tiranë
Pronari 37-vjeçar i një lokali në Tiranë është vendosur në pranga për organizimin e basteve sportive.
Një 21-vjeçar, klient i lokalit në rrugën “Kastriotët”, është vënë nën hetim pasi iu gjet një mjet prerës. Celularët e tyre janë sekuestruar, si dhe arma e ftohtë.
Materialet hetimore iu referuan prokurorisë.
Njoftimi i policisë:
Zbulohet një tjetër lokal i vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm, të lojërave të fatit.
Arrestohet pronari dhe i sekuestrohet celulari.
Vihet në hetim 1 shtetas, pasi mbante me vete, në ambientet e lokalit, mjet prerës.
Si rezultat i kontrolleve në subjekte ku dyshohet se organizohen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 konstatuan se në një lokal në rrugën “Kastriotët”, viheshin baste sportive, me celular.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi V. G., 37 vjeç.
Gjatë kontrolleve të mëtejshme në këtë subjekt, u konstatua se klienti, shtetasi O. I., 21 vjeç, kishte me vete 1 mjet prerës. Për 21-vjeçarin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Celulari i të arrestuarit dhe mjeti prerës u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme