Një nga lëvizjet më të përfolura të afatit kalimtar të verës për lojtarët shqiptarë ka dështuar në momentet vendimtare. Mirlind Daku, sulmuesi një nga emrat më të spikatur të Superligës së Rusisë sezonin e kaluar, nuk do të transferohet te Zeniti, edhe pse gjithçka ishte thuajse në fazën finale të marrëveshjes.
Burime të shumta në media ruse raportojnë se shkaku kryesor i prishjes së marrëveshjes ishte paga e kërkuar nga ana e futbollistit shqiptar.
Daku dhe menaxheri i tij kishin kërkuar një pagë vjetore më të lartë se 3.5 milionë euro, një shifër që konsiderohet tepër e lartë nga ana e drejtuesve të klubit rus, për një lojtar që ende nuk ka provuar veten në nivelet më të larta evropiane.
Zeniti, ndonëse klubi më i fuqishëm në Rusi dhe me fuqi financiare të konsiderueshme, ka ndjekur në vitet e fundit një politikë më të kujdesshme për sa i përket pagave dhe menaxhimit të buxhetit.
Kreu i Bordit të Drejtuesve të Zenitit, Alexander Medvedev, konfirmoi dështimin e bisedimeve me një deklaratë të shkurtër për media.
“Thjesht nuk arritëm të gjenim një marrëveshje me lojtarin dhe menaxherin e tij. Ai nuk do të vijë te Zeniti”, deklaroi Medvedev.
Sulmuesi shqiptar ka ende disa opsione në tavolinë, përfshirë klube nga Serie A dhe Süperligën e Turqisë.
Leave a Reply