“Ka Marrëveshje për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim prej vitit 2017 dhe në të ka dy protokolle. Ka kornizë negociuese prej vitit 2022, konsensus evropian të të gjitha vendeve anëtare edhe nga pushteti i Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria asnjëherë nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, ka thënë presidenti bullgar Rumen Radev
Evis HALILI
Shkup, 17 qershor – Atë që e flasin përfaqësues të Bullgarisë, do të kenë mundësi ta dëshmojnë më 24 qershor me tërheqjen e amendamenteve në Parlamentin Evropian, dhe ta pranojnë nismën për takime në kuadër të takimit të NATO-s në Hagë nga fundi i muajit. Kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, ndërsa ka komentuar deklaratën e djeshme të presidentit bullgar, Rumen Radev, i cili tha se nuk ka veto ndaj Maqedonisë, por se kërkohet të respektohet Marrëveshja për fqinjësi të mirë që tashmë është miratuar pothuajse nga të gjitha vendet e BE-së.
“Arrijnë shumë porosi të ndryshme nga Sofja zyrtare. Të parët tanë kanë thënë ‘dëgjo më pak se çfarë flasin, më shumë shih se çfarë bëjnë’. Ekziston një mundësi e tillë që ta dëshmojnë atë që e flasin. Më 24 qershor, në Komisionin për Punë të Jashtme pranë Parlamentit Evropian – AFET, ndodhet raporti në të cilin pres anëtarët bullgarë në PE t’i tërheqin amendamentet, në të cilat kërkojnë që gjuha dhe identiteti shumëshekullor maqedonas të ridefinohen me fjalën i tanishëm apo ‘present’, dhe në kuadër të asaj fryme të miratohet ai raport dhe më pas – edhe udhërrëfyesi për të drejtat e pakicave i cili shumë shpejtë do të jetë në rend dite, kështu që kanë mundësi atë që e flasin ta tregojnë në vepër”, deklaroi Mickoski duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve gjatë vizitës në Manastir.
Mickoski shfaqi pritje që Sofja ta pranojë takimin në kuadër të takimit të NATO-s në Hagë, dhe siç theksoi, “të bisedohet edhe për Korridorin 8, edhe atje të nisë puna, të jetë edhe ai prioritet tek fqinji ynë lindor, dhe si fqinjë të mirë, t’i ndërtojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella”.
Në ndërkohë, presidenti bullgar, Rumen Radev mbrëmë në Tiranë porositi se nuk bëhet fjalë për marrëdhënie të pazgjidhura bilaterale, për imponim të vetos apo për ndalim të procesit të integrimit, por për sfida të brendshme të cilat janë të lidhura me të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Ka Marrëveshje për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim prej vitit 2017 dhe në të ka dy protokolle. Ka kornizë negociuese prej vitit 2022, konsensus evropian të të gjitha vendeve anëtare edhe nga pushteti i Maqedonisë së Veriut, kështu që Bullgaria asnjëherë nuk ka vendosur dhe nuk do të vendosë kushte jashtë asaj marrëveshjeje, jashtë kornizës negociuese dhe jashtë dy protokolleve”, tha Radev.
Edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, deklaroi se po punohet në përforcimin e dinamikës së takimeve me Sofjen zyrtare dhe se Shkupi zyrtar është i gatshëm për gjetje të zgjidhjeve racionale në kuadër të vlerave evropiane, “por e jona është edhe të vendosim linjë të qartë të kuqe lidhur me disa çështje të caktuara, lidhur me atributet identitare”.
Kryeministri Mickosksi fundjavën e kaluar informoi se është realizuar komunikim me Zyrën e Komisionit evropian në vend rreth nismës për takim me palën bullgare dhe se ka propozim termin, për të cilin pritet të deklarohet Bullgaria. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ndërkaq, të premten tha se edhe pse është rregull të ketë takim me homologun e saj, nuk është problem të bisedohet edhe me kryeministrin bullgar, Rossen Zheljazkov në Samitin e NATO-s në Hagë, duke pasur parasysh se është konfirmuar se kolegu i saj bullgar, Rumen Radev nuk do të shkojë në Hagë, në drejtim të zhbllokimit të eurointegrimeve tona.(koha.mk)
Leave a Reply