Pak ditë më parë autoritetet amerikane arrestuan mbesën e Qasem Soleimani, të vrarë në vitin 2020, së bashku me vajzën e saj, duke i akuzuar për lidhje me regjimin iranian dhe propagandë antiamerikane.
Bëhet fjalë për Hamideh Soleimani Afshar dhe vajzën e saj Sarinasadat Hosseiny, të cilave u është revokuar “Green Card” nga autoritetet amerikane. Sipas Departamentit të Shtetit, ato kanë promovuar propagandë të Iranit dhe kanë shprehur mbështetje për struktura të cilësuara si terroriste.
Zyrtarët amerikanë thonë se Afshar, gjatë qëndrimit në SHBA, ka festuar sulmet ndaj ushtarëve dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme, ka lavdëruar udhëheqjen iraniane dhe e ka quajtur Amerikën “Satani i Madh”.
47-vjeçarja kishte hyrë në SHBA në vitin 2015 me vizë turistike, mori azil në 2019 dhe siguroi “Green Card” në vitin 2021. Ndërkohë, vajza e saj u pajis me dokumentet e qëndrimit në vitin 2023. Sipas autoriteteve, Afshar ka udhëtuar disa herë drejt Iranit edhe pasi kishte marrë lejen e përhershme të qëndrimit.
Ndërkohë, në kontrast me qëndrimet politike, jeta e tyre në SHBA rezulton luksoze. Afshar jetonte në Los Angeles dhe ekspozonte stilin e saj të jetesës në rrjetet sociale, me makina të shtrenjta dhe marka të njohura.
Edhe vajza e saj kishte një profil aktiv në rrjetet sociale, ku publikonte foto nga pushimet, klubet dhe udhëtimet në vende të ndryshme si Miami, Alaska dhe Las Vegas.
Arrestimi i tyre është kryer nga agjentët e emigracionit, ndërsa autoritetet amerikane theksojnë se mbajtja e “Green Card” është privilegj dhe mund të hiqet nëse një individ konsiderohet kërcënim për sigurinë kombëtare.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio reagoi duke theksuar se SHBA nuk do të lejojë që territori i saj të shërbejë si strehë për persona që mbështesin regjime armiqësore.
Kujtojmë se Qasem Soleimani u vra në një sulm me dron të urdhëruar nga Donald Trump pranë aeroportit të Bagdadit në vitin 2020, një ngjarje që rriti ndjeshëm tensionet mes SHBA-së dhe Iranit.