LEKËT E SHQIPTARËVE NË KINË/ Ja si paratë e “BANKERS”-it dërgoheshin në Pekin! SPAK zbulon bankën, fondet tërhiqeshin pa u tatuar

April 6, 2026


Prokuroria e Posaçme ka zbuluar një llogari bankarë në qytetin e Pekinit e cila përdorej për transferimin e fondeve nga Shqipëria drejt Kinës.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo llogari funksiononte si zyrë përfaqësimi në emër të “Bankers Petroleum Albania” Ltd.

Të dhënat e mbledhura nga SPAK-u, tregojnë se kjo zyrë përfaqësuese në Pekin shërben kryesisht si një mbulesë për të tërhequr fonde nga Shqipëria pa u tatuar, duke i regjistruar këto si shpenzime të kompanisë dhe duke rënduar artificialisht pasqyrat kontabël.

Sipas gazetarit Edison Vatnikaj, qëllimi i transferimit nuk ka ndonjë plan real financiar apo operativ që të justifikojë vlerën e transferuar, thotë SPAK.

Po kështu, nga marrja e të dhënave kompjuterike të sekuestruara nga SPAK janë konstatuar një sërë kërkesash të ngjashme për fonde dhe transferta të tjera me karakteristika të njëjta, të cilat ndjekin të njëjtën praktikë, mungesë transparence, dokumentacion të pamjaftueshëm dhe qëllime të dyshimte financiar.

SPAK-u thotë se këto elemente përforcojnë dyshimet se kemi të bëjmë me një skemë sistematike për zhvendosjen e kapitalit jashtë vendit, duke anashkaluar detyrimet tatimore dhe rregullatore në Shqipëri.

Nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme rezulton se kompania “Bankers” rezulton me humbje për 20 vite me radhë, ndërkohë që ka të dhëna se janë rritur fiktivisht shpenzimet e saj, për të dalë me humbje dhe mos paguar tatim – fitim për shtetin.

Nga ana tjetër, shoqëria “Bankers” ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së përmes skemave të dyshuara mashtruese, ndihmuar edhe nga individë dhe shoqëri të tjera, me objekt veprimtari të ndryshme.

Ky hetim i shtrirë në kohë njofton se shoqëria dhe punonjësit e saj dyshohen se kanë falsifikuar dokumente dhe kryer operacione financiare të natyrave të ndryshme:

– me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë;

– përmes skemave mashtruese me audite financiare;

– studio ligjore konsulence;

– kompani të huaja;

– krijimit të kompanive fiktive;

– abuzimit me qiratë e tokave, duke e rritur artificialisht vlerën e qirave përmes personave të tretë që përdoren si ndërmjetës me pronarët e tokave, kryerjes së transaksioneve fiktive, etj.



Source link