“Taksirat” telefoni, për 3 muaj Policia e Kosovës ndëshkoi gati 6 mijë shoferë

April 6, 2026


Gati 6 mijë shoferë janë gjobitur nga Policia e Kosovës gjatë tre muajve të parë të këtij viti për përdorim të telefonit mobil gjatë drejtimit të automjetit.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 5,878 gjoba ndaj shkelësve të ligjit.

“Sa u përket masave ligjore në raport me përdorimin e telefonit mobil gjatë drejtimit të automjetit, përveç masave parandaluese, Policia e Kosovës ndaj shkelësve të ligjit ka shqiptuar 5878 gjoba gjatë tremujorit të parë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për IndeksOnline.

Bazuar në legjislacionin në fuqi, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes dënohet me gjobë prej 200 eurosh, pikë negative ose edhe me ndalim të së drejtës për të drejtuar automjet për tre muaj.

Policia thekson se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.

Për këtë arsye, në vazhdimësi autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të automjetit, në mënyrë që të ulin rrezikun e aksidenteve në trafik.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me masa dhe kontrolle të shtuara në komunikacion, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.






Source link