Pas një nate të mbushur me debate të ashpra, përplasje të forta me produksionin dhe tensione që arritën deri në ndërprerjen e transmetimit në “Big Brother VIP Albania 5”, reagimet në rrjet kanë qenë të panumërta.
Megjithatë, një prej atyre që ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe ka habitur publikun është postimi i gazetarit Bledi Mane, një figurë e njohur dhe e lidhur ngushtë me ekranin e Top Channel.
Teksa rrjeti gëlonte nga komentet mbi “dhunën” psikologjike dhe verbale të ndodhur në spektaklin e djeshëm, Bledi ka zgjedhur të bëjë një krahasim të tërthortë, duke lartësuar një personazh të një formati rival për të përcjellë mesazhin e tij.
Përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thurur elozhe për poeten Mimoza Ahmeti, e cila aktualisht po bën bujë në “Ferma VIP”, duke e cilësuar atë si një frymëmarrje të re për ekranin.
“Mimoza Ahmeti e zhveshi spektaklin televiziv nga dhuna verbale dhe fizike. Moza riktheu në shtëpi artin, filozofinë, ironinë…”, ka shkruar gazetari në profilin e tij.

Ky reagim është interpretuar menjëherë nga ndjekësit si një thumbim i hapur ndaj situatave kaotike dhe degraduese që përfshinë shtëpinë e “Big Brother” mbrëmjen e kaluar.