Daily Mail ka publikuar detaje të reja në lidhje me Ruben Saraivën, vrasësin me pagesë të biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u dënua nga Gjykata e Lezhës me burgim të përjetshëm.
Ruben Saraiva, i rritur në rrethinat e qeta të Londrës, sipas Daily Mail u kthye nga një djalë i qetë në një vrasës me pagesë për një familje kriminale shqiptare në Angli.
Sipas gazetës britanike, një burim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të Shqipërisë ka deklaruar për ta se Saraiva kërkon mbrojtje të rreptë, sepse ka marrë informacione se figurat e errëta të Mbretërisë së Bashkuar që financuan vrasjen e Nikulajt tani kanë vënë një shpërblim prej 500,000 euro për kokën e Saraivës, për të eliminuar rrezikun që ai të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë.
Saraiva, djali i dy prindërve portugezë, të dy njerëz të sjellshëm dhe punëtorë, thonë se janë të habitur nga ajo që i ndodhi djalit të tyre.
“Ne jemi njerëz të mirë, ne nuk jemi kriminelë. Edhe Rubeni është i tillë. Ai është një djalë fantastik. Ne jemi të shtangur”, kanë deklaruar disa burime familjare për Daily Mail.
Saraiva u zhvendos nga Portugalia në Mbretërinë e Bashkuar me të atin kur ishte katër vjeç.
Kur nëna e tij erdhi në Mbretërinë e Bashkuar katër vjet më vonë, ai jetonte midis babait të tij, i cili rrinte në periferi të Reading, Berkshire, dhe nënës së tij që u vendos në Lewisham, në juglindje të Londrës.
Fotot e siguruara nga Daily Mail shfaqin Saraivës në rininë e tij të veshur me kostum dhe kravatë.