Sulmuan Izraelin me raketa, kush janë rebelët Houthi që u bashkuan në luftë
1
Houthit e Jemenit, të mbështetur nga Irani, njoftuan të shtunën se qëlluan me raketa drejt Izraelit, ndërsa ata hynë në konfliktin në zgjerim e sipër në Lindjen e Mesme.
Ushtria izraelite kishte thënë më parë se kishte zbuluar një raketë nga Jemeni.
Kush janë ata?
Lëvizja Houthi është njëra anë e luftës civile në Jemen.
Ajo u shfaq në vitet 1990, kur udhëheqësi i saj, Hussein al-Houthi, nisi “Rininë Besimtare”, një lëvizje fetare për një nënsekt shekullor të Islamit Shiit të quajtur Zaidizëm.
Zaidët sunduan Jemenin për shekuj me radhë, por u margjinalizuan nën regjimin sunit që erdhi në pushtet pas luftës civile të vitit 1962.
Lëvizja e Al-Houthit u themelua për të përfaqësuar Zaidët dhe për t’i rezistuar sunizmit radikal, veçanërisht ideve vehabiste nga Arabia Saudite fqinje.
Ndjekësit e tij më të ngushtë u bënë të njohur si Houthi, shkruan CNN.
Lufta civile në Jemen filloi në vitin 2014, kur forcat Houthi sulmuan kryeqytetin Sanaa dhe rrëzuan qeverinë e njohur ndërkombëtarisht dhe të mbështetur nga Arabia Saudite.
Konflikti u shndërrua në një luftë më të gjerë në vitin 2015 kur një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në një përpjekje për të mposhtur Houthit.
Një armëpushim u nënshkrua në vitin 2022, por ai skadoi vetëm gjashtë muaj më vonë.
Megjithatë, palët ndërluftuese nuk janë rikthyer në konflikt të plotë.
Aleatët e Houthive
Houthit mbështeten nga Irani, i cili filloi të rrisë ndihmën për grupin në vitin 2014, ndërsa lufta civile u përshkallëzua dhe rivaliteti i tij me Arabinë Saudite u intensifikua.
Irani i ka furnizuar grupit armë dhe teknologji, ndër të tjera, për mina detare, raketa balistike dhe lundrimi, si dhe mjete ajrore pa pilot, sipas një raporti të vitit 2021 nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Houthit janë pjesë e të ashtuquajturit Bosht i Rezistencës së Iranit – një aleancë anti-Izrael dhe anti-Perëndimore e milicive rajonale të mbështetura nga Republika Islamike.
Sa i fuqishëm është grupi?
Zyrtarët amerikanë kanë ndjekur përmirësime të vazhdueshme në rrezen e veprimit, saktësinë dhe vdekshmërinë e raketave të prodhuara në vend nga rebelët Houthi.
Fillimisht, armët e prodhuara në vend nga rebelët Houthi u ndërtuan kryesisht me komponentë iranianë të kontrabanduar në Jeme, sipas një zyrtari të njohur me inteligjencën amerikane.
Ata kanë përdorur më parë dronë dhe raketa kundër anijeve tregtare – disa prej të cilave nuk besohet se janë të lidhura me Izraelin – duke bërë që USS Carney, një anije luftarake në Detin e Kuq, t’u përgjigjet thirrjeve. /Telegrafi