“92% e Marinës Iraniane është shkatërruar”, SHBA-të paralajmërojnë humbje të mëtejshme

March 26, 2026


Cooper: Janë goditur më shumë se 10 mijë objektiva
Washington – Shtetet e Bashkuara kanë goditur më shumë se 10 mijë objektiva brenda Iranit, përfshirë dhjetëra anije luftarake dhe impiante raketash, si pjesë e operacionit në vazhdim. Kështu deklaroi të mërkurën, 25 mars, Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM), Admiral Brad Cooper.

“Forcat amerikane kanë goditur më shumë se 10 mijë objektiva ushtarake. Në fakt, objektivi më i fundit iranian u godit vetëm pak orë më parë”, tha Cooper në një video-mesazh të shpërndarë në rrjetin social “X”.Tensionet rajonale janë rritur që nga 28 shkurti, kur SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit, i cili ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1 300 personave, përfshirë ish-Liderin Suprem Ali Khamenei.

Irani është hakmarrë duke sulmuar me dronë dhe raketa Izraelin dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.

Cooper tha se SHBA-të kanë shkatërruar 92% të anijeve më të mëdha të Marinës iraniane.

“Ato nuk lundrojnë më, dhe vlerësimi im operacional është se tani kanë humbur aftësinë për të projektuar fuqinë dhe ndikimin detar në rajon dhe në botë”, shtoi ai.

SHBA-të pretendojnë gjithashtu se “kanë dëmtuar ndjeshëm” kapacitetet iraniane për dronë dhe raketa detare.

“Ne gjithashtu i kemi hequr regjimit mundësinë për t’i rindërtuar ato“, theksoi Cooper.

13 anëtarë të forcave amerikane kanë humbur jetën dhe rreth 290 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i operacionit.



Source link