Sfida e mosreagimit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka vijuar me të tjera surpriza për konkurrentët.
Pas largimit të ish-banorit Seno, radhën për të testuar durimin e pjesëmarrësve e ka pasur Kristi Lamaj, i cili ka zgjedhur një mënyrë krejtësisht të pazakontë për t’u rikthyer përkohësisht në ambientet e shtëpisë.
Ndryshe nga hyrjet tradicionale përmes derës kryesore, Kristi është shfaqur duke kapërcyer murin rrethues të shtëpisë.
Ky veprim është realizuar me nota humori nga ana e produksionit, duke risjellë në vëmendje pikërisht formën se si ish-banori vendosi të ndërpriste rrugëtimin e tij dhe të largohej nga gara pak kohë më parë.
Pavarësisht situatës komike dhe të papritur që u krijua para syve të tyre, banorët aktualë kanë arritur të ruajnë qetësinë.
Të detyruar nga rregullat e provës së vendosur nga Vëllai i Madh për të përfituar çmimet përkatëse, ata nuk kanë bërë asnjë reagim gjatë qëndrimit të Kristit pranë tyre, duke e kaluar me sukses edhe këtë fazë të lojës.
Kujtojmë se largimi i Kristit duke kapërcyer murin e shtëpisë ka qenë një nga momentet më të komentuara të këtij edicioni televiziv, ndërsa sfida e mosreagimit mbetet aktive dhe pritet të sjellë të tjera përballje të tilla deri në spektaklin e së shtunës.