Lufta kundër korrupsionit mbetet sfidë


Perceptimi për luftën kundër korrupsionit është më i përmbajtur. Vetëm 11 për qind e qytetarëve e konsiderojnë luftën intensive dhe të qëndrueshme, ndërsa rreth gjysma mendojnë se përpjekjet ekzistojnë, por nuk janë të mjaftueshme

 

Anëmsha SHABANI

Shkup, 28 prill – Tragjedia e rëndë që goditi Koçanin tronditi vendin dhe solli në vëmendje jo vetëm reagimin e shpejtë të institucioneve, por edhe aftësinë e tyre për të menaxhuar situatat e krizës. Përballë sfidave të mëdha, opinioni publik është treguar kritik, por edhe mbështetës në vlerësimin e veprimeve të autoriteteve. Sipas anketës më të fundit të opinionit publik të realizuar për portalin “MKD.mk” nga kompania Market Vision, shumica e qytetarëve vlerësojnë se institucionet kanë menaxhuar mirë pasojat e tragjedisë. Konkretisht, 65 për qind e të anketuarve mendojnë se reagimi ka qenë efektiv, ndërsa 35 për qind shprehin pakënaqësi për mënyrën se si u menaxhua situata.

Në aspektin shëndetësor, 71 për qind e qytetarëve besojnë se autoritetet kanë vepruar me efikasitet në trajtimin e të lënduarve, duke vlerësuar përkushtimin dhe organizimin e shërbimeve mjekësore.

Sa i përket hetimeve dhe përcaktimit të përgjegjësive, mbi gjysma e të anketuarve (53 për qind) mendojnë se Ministria e Brendshme dhe Prokuroria kanë marrë masa të shpejta dhe të efektshme, ndërkohë që një e treta mbetet skeptike. Në anën tjetër, perceptimi për luftën kundër korrupsionit është më i përmbajtur. Vetëm 11 për qind e qytetarëve e konsiderojnë luftën intensive dhe të qëndrueshme, ndërsa rreth gjysma mendojnë se përpjekjet ekzistojnë, por nuk janë të mjaftueshme. Ndërkohë, 23 për qind shprehen se nuk vërejnë asnjë progres të dukshëm në këtë drejtim. Në fushën e drejtësisë, kërkesa për reforma është e qartë: rreth 50 për qind e qytetarëve mendojnë se duhet të bëhet një spastrim i thellë, përfshirë ndryshimin e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë Publike. Një e pesta e të anketuarve janë kundër ndërhyrjeve të tilla.

Për çështjet ekonomike, mbështetja për masat e qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit të disa produkteve ushqimore është e dukshme, me dy të tretat e qytetarëve që i konsiderojnë ato të nevojshme. Rreth 40 për qind mendojnë se përzgjedhja e produkteve ka qenë e përshtatshme dhe në favor të konsumatorëve.

Në lidhje me arsyet e çmimeve të larta, shumica, ose mbi 40 për qind, fajësojnë tregtarët për sjellje të papërgjegjshme, ndërsa rreth 24 për qind besojnë se faktorët ndërkombëtarë, si lufta në Ukrainë dhe politikat e prodhuesve dhe importuesve, kanë ndikuar drejtpërdrejt. Sa i përket perceptimeve për ndryshimet në institucionet kyçe të drejtësisë, shumica e qytetarëve janë shprehur në favor të reformave. Rreth 50.3 për qind e të anketuarve besojnë se është i nevojshëm ndryshimi i përbërjes së Këshillit Gjyqësor, ndërsa 45.7 për qind mendojnë se duhet zëvendësuar Prokurori Publik. Nga ana tjetër, rreth 20 për qind kanë kundërshtuar idenë për ndryshime në këto institucione. Anketa e realizuar nga Market Vision u zhvillua përmes telefonit me 1.200 qytetarë, në periudhën nga 20 marsi deri më 17 prill të këtij viti. (koha.mk)



Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *