Vendet e Evropës vijojnë të dominojnë në infrastrukturën rrugore, ndërsa Shqipëria mbetet ende në një fazë zhvillimi, me densitet të ulët autostradash krahasuar me rajonin dhe BE-në.
Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2024 tregojnë një hendek të dukshëm midis vendeve të Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, si në shtrirjen e rrjetit, ashtu edhe në intensitetin e investimeve ndër vite.
Shqipëria në fund të renditjes për densitet autostradash
Harta e densitetit të autostradave në Evropë për vitin 2024 tregon qartë se Shqipëria renditet në kategorinë më të ulët, me më pak se 15 kilometra autostrada për 1,000 km².
Ky nivel e vendos vendin përkrah një pjese të vendeve të Ballkanit dhe Evropës Lindore, shumë larg standardeve të vendeve si Gjermania, Holanda apo Belgjika, ku densiteti i autostradave kalon 80 km për 1,000 km² në disa rajone.
Rajonet më të zhvilluara të Evropës Qendrore dhe Perëndimore dominojnë hartën me rrjete të dendura dhe të integruara, ndërsa në Evropën Juglindore infrastruktura mbetet më e fragmentuar.
Shqipëria, edhe pse ka investuar në akse kryesore kombëtare gjatë dy dekadave të fundit, nuk ka arritur ende të krijojë një rrjet të gjerë autostradash me standarde të plota europiane.
Zgjerimi i autostradave, Shqipëria jashtë valës kryesore, ndërsa Shqipëria mbetet në nivele të ulëta densiteti, zhvillimet në vende të tjera tregojnë një dinamikë shumë më intensive.
Sipas të dhënave, periudha 2014–2024 është karakterizuar nga zgjerime të konsiderueshme të rrjeteve rrugore në disa rajone të Evropës.
Spanja kryeson këtë valë zhvillimi, ku në disa rajone janë ndërtuar segmente të reja autostradash nga 131 deri në 242 kilometra, si në veri ashtu edhe në jug të vendit.
Ky zhvillim lidhet me programin ambicioz të ndërtimit të rrugëve që Spanja ka ndjekur që prej viteve ’90.
Gjithashtu, zgjerime të rëndësishme janë regjistruar edhe në rajone të Sllovakisë, Turqisë, Çekisë, Irlandës, Bullgarisë dhe Italisë, duke reflektuar një fokus të vazhdueshëm në përmirësimin e lidhshmërisë dhe infrastrukturës transportuese.
Në këto të dhëna, Shqipëria nuk përmendet ndër vendet me zgjerim të ndjeshëm të rrjetit të autostradave në dekadën e fundit, çka sugjeron një ritëm më të ngadaltë zhvillimi krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë.
Evropa Perëndimore dominon edhe në densitet
Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se densitetet më të larta të autostradave në Evropë gjenden në rajone të Gjermanisë, Holandës dhe Belgjikës, si dhe në rajonet kryeqytetase të vendeve si Hungaria, Spanja, Çekia, Kroacia dhe Austria. Këto zona përfitojnë nga urbanizimi i lartë dhe nga investimet afatgjata në infrastrukturë.
Në të njëjtën kohë, zhvillimet në sektorë të tjerë të transportit tregojnë diferenca të ngjashme.
Për shembull, dy rajone gjermane kanë densitetin më të lartë të linjave hekurudhore në BE (mbi 600 km për 1,000 km²), ndërsa tri rajone në Greqi kanë nivelet më të ulëta (nën 10 km për 1,000 km²).
Në transportin ujor të brendshëm, 12 nga 20 rajonet me densitetin më të lartë ndodhen në Holandë.