Shqiptari i dyshuar dorëzohet vetë, telefonata që bëri me policinë para se të prangosej

March 21, 2026


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Arezzos në Itali, ku një konflikt i çastit ka përfunduar me humbjen e jetës së një 30-vjeçari me origjinë shqiptare. Viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, ndërsa autori i dyshuar, 35 vjeç, gjithashtu me origjinë shqiptare, është dorëzuar vetë disa orë pas ngjarjes.

Sipas informacioneve paraprake, gjithçka dyshohet se ka nisur nga një situatë tensioni e lidhur me një marrëdhënie personale. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës duke hyrë e shtuna 21 mars në një zonë të frekuentuar të qytetit, pranë rrethrrotullimit të Olmos. Viktima, i cili punonte si kamerier, ishte duke biseduar me ish-partneren e tij kur në vendngjarje ka mbërritur 35-vjeçari.

Në ato momente situata ka dalë jashtë kontrollit dhe janë dëgjuar disa të shtëna. Sipas dëshmitarëve, ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, duke mos lënë kohë për reagim. 30-vjeçari ka mbetur i plagosur rëndë dhe pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, nuk ka mundur të mbijetojë.

Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi, ndërsa policia ka nisur menjëherë kërkimet, duke ngritur pika kontrolli dhe duke shpërndarë informacion për mjetin e tij. Disa orë më vonë, ai ka kontaktuar vetë me telefon autoritetet, duke treguar vendndodhjen e tij në zonën e Rigutinos dhe duke shprehur gatishmërinë për t’u dorëzuar.

Policia e ka gjetur në automjet, ku ndodhej ende edhe arma e përdorur. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit të Arezzos, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.



Source link