Prishtina e kalon Vëllaznimin pas një drame dhe siguron duelin me Trepçën në gjysmëfinale


Sigal Prishtina i është bashkuar Trepçës në gjysmëfinalet e play-offit të Superligës së Kosovës në basketboll, pas një fitoreje dramatike ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e tretë vendimtare të serisë dhe atë pas vazhdimeve.

Në përballjen e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, prishtinasit fituan me rezultat 86:82, pas vazhdimeve pesëminutëshe.

Ndeshja ishte shumë e luftuar, me Prishtinën që dominoi për pjesën më të madhe, por që u sfidua në fund nga rikthimi i fuqishëm i skuadrës së trajnerit Jeronimo Shari.

Rezultati u barazua në 74:74, kur kishin mbetur vetëm 15 sekonda, pas dy gjuajtjeve të lira të realizuara nga Jericole Hellems. Në aksionin pasues, Jordan Davis fitoi dy gjuajtje të lira por i humbi të dyja.

Megjithatë, ai rikuperoi topin në sulm, por nuk arriti të shënojë, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.

Në periudhën shtesë, Prishtina reagoi shpejt, duke krijuar një seri të fuqishme prej 8:0 për epërsinë 82:74. Vëllaznimi u afrua deri në 83:80, por nuk arriti të përmbysë rezultatin.

Fitorja e çoi Prishtinën në gjysmëfinale, ku do të përballet me Trepçën, pasi e fitoi serinë çerekfinale ndaj Vëllaznimit me rezultat të përgjithshëm 2-1.



Source link

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *