Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit. Avokatët e Safet Bajrit, Behar Bajrit, Astmer Bilalit dhe Eria Agos kishin kërkuar pushimin e çështjes ose kthim të akteve për plotësim hetimesh. Sipas mbrojtësve ligjore për këtë çështje më herët ka patur pezullim hetimesh nga prokurori të tjera për mungesë provash. Safet Bajri u arrestua me urdhër të SPAK më 21 shkurt 2025. Bajri dhe anëtarët e grupit të tij janë të dyshuar për vrasjen e Fatbardh Licit, vëllai i Mustafa Licit, ky i fundit babai i Ibrahim Licit dhe Hamza Licit i cili u ekzekutua me breshëri plumbash më 10 gusht të vitit 2018 në Kiras të Shkodrës.
53-vjeçari Fatbardh Lici dyshohet se është viktimë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër. Safet Bajri ka qenë më herët i ndaluar nga autoritetet e drejtësisë, gjatë operacionit “Oaz” të zhvilluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda, por më pas është liruar. Ai ka qenë i dënuar edhe në Belgjikë, ndërsa gjatë javëve të fundit banesa e tij në Dobraç është kontrolluar disa herë me urdhër të SPAK, në kuadër të disa procedimeve penale. Fatbardh Licin e vranë në shenjë hakmarrjeje, pasi dyshonin se Ibrahimi kishte vrarë mikun e tyre, Boran Bërcana, dhe partneren e tij, Silvi Ndoci.
Boran Bërcana dyshohej si autor i atentatit me tritol ndaj Pëllumb Kullës, dhëndrit të Licëve. Bërcana ishte shok me Gjin Ndojin, që u vra, sipas SPAK, nga Behar Bajri. Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali janë tashmë zyrtarisht të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit. Ata u tradhtuan nga kamerat e sigurisë në qytet dhe, në çdo lëvizje, u fokusuan. Analizimi i pamjeve filmike dhe provave të tjera ka bindur hetuesit se Safet e Behar Bajri dhe Astmer Bilali janë autorë të vrasjes.