Shtrenjtohet sërish nafta, ja sa arrin çmimi në karburantet e kryeqytetit

March 17, 2026


Mëngjesin e sotëm në disa pika të karburantit në Tiranë çmimi i naftës është shtrenjtuar me 6 lekë, duke arritur në nivelin e 199 lekë për litër.

Prej gati 2 javë nga nisja e luftës në lindjen e Mesme, sot në tregun e pakicës është shënuar niveli më i lartë për çmimin e shitjes. Krahasuar me nivelin e çmimit para nisjes së luftës, rritja është 24 lekë për litër apo 14% më shumë.

Nga 193 lekë për litër që arriti çmimi i naftës ditën e mërkurë (më 11 Mars) sot në tregun e pakicës nafta po tregtohet me çmim 199 lekë për litër.

Sipas vëzhgimit të Monitor ndryshimi i çmimi është reflektuar në disa pika në Tiranë, përfshirë pikën e karburantit me pakicë të kompanisë “Elda” në zonën e Bërryli si dhe në pikën e karburantit të “Bolv Oil” pranë pazarit të Ri. Punonjësit e pikave të tregtimit me pakicë pohuan se ndryshimi i çmimit është reflektuar prej mëngjesit të sotëm.

Ndërsa çmimi i mëparshëm prej 193 lekë për litër arriti ditën e mërkurë më 11 Mars, ku nga 198 lekë, çmimi i shitjes së naftës me pakicë u ul në nivelin e 195 lekë për litër.

Pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme çmimi i naftës në tregun e pakicës ka ndryshuar disa herë. Më parë nafta me pakicë tregtohet 175 lekë për litër.

Nga Shoqata e Hidrokarbureve sqarohet se nafta është një produkt që tregtohet në bursat e huaja, dhe çmimi i pakicës reflekton ndryshimet e tregjeve të huaja.

Në bursat e huaja çmimi i naftës “brent crude” ka arritur 103 USD për fuçi. Çmimi i naftës ka arritur në nivelet që ishte para dhënies së deklaratës së presidentit Donald Trump për përshpejtim të mbylljes së luftës në Lindjen e Mesme.

Para nisjes së konfliktit nafta në bursat e huaja tregtohej me çmim 65 USD për fuçi.

Sakaq në vend ka ngritur një task force monitorimi për të ndjekur zhvillimet në treg pas rritjes së çmimeve të naftës.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj tha institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve./Monitor



Source link