Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu thotë se regjimet po lëkunden, por janë popujt ata që i shembin ato.
Me anë të një postimi në Facebook, Shehu thekson se frika e regjimeve është e lexueshme. Ndërsa i referohet shkrimit të Ramës dhe Vuçiç për idenë e anëtarësimit në BE, ai shkruan se “ata kërkojnë të bashkëpunojnë, të mbështesin njëri-tjetrin. E lexuam këtë edhe në Manifestin Rama-Vuçiç”.
Ligjvënësi demokrat sjellë në vëmendje edhe konfliktet e fundit në Lindjen e mesme, ndërsa thekson se “goditja që po i bëhet Iranit nga SHBA është një shpresë e madhe për atë popull të masakruar nga ai regjim”.
Postimi:
Regjimet po “lëkunden”, por popujt i shembin ata!
Havana në errësirë të plotë, edhe regjimi i Kubës në krizë të fortë, njerëzit aty po ngrihen!
Regjimi i ajatollahëve nën goditjen e SHBA.
Një shpresë e madhe kjo për atë popull të masakruar nga ai regjim.
Një shpresë dhe sinjal ky për fundin e sistemeve autokratike e antidemokratike në botë?!
Një ripërsëritje e fundit të viteve ’80 e fillimit të atyre ’90?
Sidoqoftë, njerëzit duhet të “zgjohen”, vetëm ata mund të groposin regjimet në lëkundje kudo tashmë!
Koha është e favorshme, ngjarjet po precipitojnë.
Frika e regjimeve është e lexueshme, ata kërkojnë të bashkëpunojnë, të mbështesin njëri-tjetrin.
E lexuam këtë edhe në “Manifestin Rama-Vuçiç”.
Por ata harrojnë se “bashkimi” i njerëzve është shumë herë më i fortë se “aleancat” e tyre!