Ngjarja e rëndë në Gjakovë, dyshohet se pronari i lokalit vrau klientin në Çarshinë e Vjetër

March 16, 2026


Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjakovës mëngjesin e së hënës.

Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur si shkak i një incidenti me armë zjarri. Drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Grashita, në një prononcim për Reporterin ka bërë të ditur se pronari i një lokali pranë “Çarshisë së Vjetër” si pasojë e një mosmarrëveshjeje me klientët ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre.

“Dyshohet që vrasja të ketë ndodhur rreth orës 05:20 në një lokal në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë. Sipas informatave të para dyshohet se pronari i një lokali pas një mosmarrëveshje me një klient ka përdor armën e zjarrit me ç’rast një person ka mbetur i vdekur në vendngjarje (vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje) ndërsa një person tjetër i plagosur është dërguar në spitalin rajonal për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, ka thënë Graishta.

Policia e Prokuroria kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi se i dyshuari është në arrati dhe se i njëjti është identifikuar.

Çka dihet deri më tani?

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri i vrarë në vendngjarje ka mbetur Rasim Binakaj, rreth 38-vjeçar, teksa i dyshuari për rastin është Nexhdet Zymberaj, pronar i lokalit “My Place” në Gjakovë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet i mprehtë (thikë).

Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

 

Një i vrarë dhe një i plagosur në Gjakovë, policia jep detaje






Source link