Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë këtë të mërkurë një takim me deputetët socialistë të qarkut të Tiranës. Burime për mediat bëjnë me dije se kreu i qeverisë dhe njëkohësisht kryesocialisti do të mbledhë deputetët në orën 14:00 të ditës së sotme.
Ky takim i Ramës me socialistët në selinë rozë, vjen një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, aty ku dhe ai u caktoi disa porosi të qarta.
Kryeministri Edi Rama mëngjesin e së martës mbajti për rreth gjysmë ore deputetët dhe ministrat e PS-së, ku dhe u ndalën kryesisht në çështjet organizative, por diskutuan dhe për caktimin e datës për Asamblenë e Partisë Socialiste.
Rama u ka kërkoi deputetëve që të dalin në terren dhe të zhvillojnë takime me qytetarët, me qëllim për të kuptuar shqetësimet e tyre.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe luftës në Lindjen e Mesme. Edi Rama u kërkoi deputetëve të vet që të jenë vigjilent për rritjen e çmimeve që mund të vijnë për shkak të konfliktit dhe përshkallëzimit të saj. Ai kërkoi që të mos lejohet të abuzohet me çmimet dhe të gjithë të jenë “sy e veshë”, me qëllim mos ndikimin e tyre te qytetarët.