“Ne presim me durim, të vërtetën”/18 vite nga tragjedia e Gërdecit, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi: Procesi,,

March 15, 2026


Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda për shoqërinë shqiptare.

Familjarët e viktimave, në një deklaratë të përbashkët theksojnë se procesi gjyqësor për përgjegjësit e kësaj katastrofe është ende në fillimet e tij, pavarësisht se akuza ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u ngrit që në vitin 2009.

Në një deklaratë të përbashkët, ata shprehen shqetësimin për vonesat dhe pengesat politike që kanë karakterizuar çështjen gjatë dekadave, duke nënvizuar se drejtësia për jetët e humbura dhe sigurinë e qytetarëve mbetet një detyrim i pazgjidhur.Familjarët kërkojnë vetëm të vërtetën dhe sigurimin që ngjarje të tilla nuk do të përsëriten më.

Deklarata e plotë:

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia e Gërdecit, një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar shoqëria shqiptare në kohë paqeje. Për familjet tona kjo nuk është thjesht një datë përkujtimore.

Është një kujtesë e përditshme e jetëve të humbura dhe e një drejtësie që ka marrë një rrugë tepër të gjatë për të mbërritur deri këtu.

Ndryshe nga sa pretendohet shpesh publikisht nga ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, gjyqi që zhvillohet sot në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është një proces politik. Përkundrazi, historia e kësaj çështjeje tregon se pengesat ndaj drejtësisë kanë qenë të natyrës politike.

Akuza ndaj ish-ministrit është ngritur që në vitin 2009. Megjithatë, ajo nuk u gjykua për më shumë se një dekadë. Në atë kohë, çështja u mbyll pasi ai fitoi mandat deputeti dhe përfitoi nga imuniteti parlamentar, ndërsa organet e akuzës nuk ndërmorën veprime për vazhdimin e procedimit për vite të tëra.

Vetëm pas shumë përpjekjesh dhe debatesh juridike, pas kërkesave tona çështja u rikthye në tryezën e drejtësisë dhe sot po shqyrtohet në GJKKO. Edhe ky rikthim kërkoi vite të tjera pritjeje, pasi për rreth dy vite u desh që të gjitha shkallët e gjyqësorit të shpreheshin mbi vlefshmërinë e hapjes së procesit.

Pas rreth tre vitesh procesi vijon në gjykatë. Në pothuajse çdo seancë, i pandehuri e përdor sallën e gjyqit jo vetëm për qëndrime juridike, por më shumë për deklarime politike në interes të tij. Gjykata e ka lejuar vazhdimisht këtë praktikë, duke i dhënë kohë të pakufizuar.

Në shumë raste procesi është shtyrë për shkak të angazhimeve të tij politike jashtë vendit. Gjykata e ka trajtuar këtë situatë me një kujdes të veçantë ndaj të pandehurit, pa masa sigurie, me akomodim të vazhdueshëm të datave, kohëzgjatjes së seancave dhe kërkesave procedurale. Ky është një trajtim që i ngjan një procesi gjyqësor në një vend me standardet drejtësisë “norvegjeze”. Por ngjarja për të cilën bëhet fjalë nuk është aspak “norvegjeze”. Ajo është tragjedia e Gërdecit.

Të pabazuara janë edhe pretendimet se ky proces nuk është i ligjshëm.

Akuza është ngritur brenda afateve ligjore dhe lidhet drejtpërdrejt me tragjedinë. Vendimet dhe urdhrat e ish-ministrit të mbrojtjes kanë pasur një rol të drejtpërdrejtë në zinxhirin shkak-pasojë që çoi në katastrofë. Në thelb të kësaj çështjeje qëndron vendimi i ish-ministrit për të lejuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj në afërsi të zonave të banuara, nga një kompani private që nuk dispononte teknologjinë e nevojshme dhe pa mbikëqyrjen e rreptë nga strukturat e forcave të armatosura.

Argumente të ngjashme me ato që paraqet sot ish-ministri janë ngritur edhe në procese të tjera brenda Shqipërisë apo edhe në Strasburg. Megjithatë, ato nuk kanë gjetur mbështetje çka tregon se vlerësimi juridik i kësaj çështjeje po bëhet gjithnjë e më i qartë.

Pavarësisht orëve të gjata të komenteve të ish-ministrit mbi ekspertizat, dokumentet dhe dëshmitë, nuk qëndron pretendimi se kemi të bëjmë me një proces absurd. Përkundrazi, kemi të bëjmë me një proces të domosdoshëm dhe tepër të vonuar.

I pandehuri vazhdon të theksojë se demontimi i municioneve ishte i domosdoshëm. Ne nuk kemi thënë kurrë se demontimi nuk duhej bërë. Ajo që kemi thënë gjithmonë është se nuk duhej bërë në mënyrën se si u bë, në kushte të pasigurta, pranë banesave dhe me një organizim që përfundoi me një kosto tragjike në jetë njerëzish.

Ironikisht, prej tij dëgjojmë shpesh pretendime se ky operacion ishte fitimprurës. Por të gjithë e dimë se me çfarë kostoje reale u pagua ai “fitim”.

Sot shënohen 18 vite nga tragjedia. Në këtë kohë, edhe një foshnjë e lindur atë ditë do të ishte sot një i rritur. Ndërsa procesi gjyqësor për përgjegjësinë e kësaj tragjedie është ende në fillimet e tij. Në një mënyrë të dhimbshme, ky proces i ngjan moshës së atyre fëmijëve që nuk u lejuan kurrë të rriteshin.

E megjithatë ne presim me durim, pa bërë shumë komente publike, pa tejmbushur sallën e gjyqit me dramën tonë, pa kërkuar hakmarrje.

Ne kërkojmë vetëm të vërtetën dhe drejtësinë, që shoqëria shqiptare të sigurohet që një ngjarje e tillë të mos përsëritet kurrë më. Ky është amaneti i atyre shpirtrave që përkujtojmë sot.



Source link