Largohet nga BBVK ende pa nisur/ Zbulohet emri që e bëri Bora Zemanin të ndryshojë vendim
Bora Zemani duket se nuk do të jetë pjesë e moderimit të edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”, ndonëse vetëm pak ditë më parë emri i saj përflitej si një nga zgjedhjet pothuajse të konfirmuara për këtë rol.
Sipas raportimeve të fundit të VIP Magazine, Alaudin Hamiti do ta drejtojë i vetëm këtë edicion të spektaklit, duke lënë jashtë skenarit të moderimit prezantuesen e njohur shqiptare.
Megjithatë, gazetari Elton Tozaj ka bërë një tjetër deklaratë, duke pretenduar se Bora kishte qenë e konfirmuar për këtë pozicion, por kishte vendosur të tërhiqej pas një zhvillimi të papritur.
Sipas tij, shkak për ndryshimin e vendimit është bërë konfirmimi i Rudina Dembacajt si opinioniste e këtij edicioni.
“Ka zhvillime. E konfirmuar ishte deri përpara dy ditësh, por në momentin që është konfirmuar opinionistja, që është Rudina Dembacaj, ka ndodhur një çudi që Bora Zemani ka dhënë dorëheqjen. Nuk do të jetë moderatore e Big Brother VIP Kosova”, është shprehur Tozaj.
Deklarata e gazetarit ngre pikëpyetje mbi arsyet e mundshme të tërheqjes së Borës, veçanërisht për shkak të përmendjes së emrit të Rudina Dembacajt.