Do të paguani për dëmet, nuk do të ketë bursa dhe arsim falas – Lajme Big Brother Vip – Lajmi i Fundit, Lajmet e Fundit
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se familjarët e të miturve që përfshihen në protestat e dhunshme do të përballen me përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre.
Gjatë fjalës së tij Rama, iu është drejtuar familjarëve të të miturëve, se faturat financiare për dëmet e shkaktuara do t’i ndjekë deri në fund, në rast se nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre prindërore.
“Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund,” thekson Rama.
Po ashtu ai ka paralajmëruar masa administrative dhe financiare ndaj nxënësve dhe studentëve që braktisin shkollën për t’u bashkuar në protestë dhe përfshirë në akte dhune ndaj Policisë së Shtetit. Rama theksoi se këtë të rinj nuk do të përfitojnë arsim falas bursa apo mbështetje financiare nga shteti.
“Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët. Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh,” shprehet Rama.
Fjala e plotë:
Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund.
U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti.
Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë.
Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët. Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh.
Burimi: Newsbomb.al