Edi Rama mblodhi me urgjencë ministrat, çfarë i tha kryeministri për studentët? Dyshimet dhe …
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot ministrat, në një kohë kur protestat e studentëve para Ministrisë së Arsimit dhe më pas para Kryeministrisë janë shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.
Mbledhja u zhvillua ne mesdite, ndërsa protesta vijonte në rrugët e kryeqytetit. Siç raportojnë mediet, Rama u ka përcjellë ministrave qëndrimin e tij lidhur me ngjarjet, duke bërë një dallim mes personave të përfshirë në aktet e dhunshme dhe studentëve që kanë dalë për të ngritur shqetësimet e tyre.
Kryeministri mësohet të ketë deklaruar se personat që janë përfshirë në veprime të dhunshme nuk duhen konsideruar studentë. Ndërkohë, për pjesën tjetër të protestuesve, të cilët i identifikon si studentë, ai ka kërkuar që të dëgjohen dhe shqetësimet e tyre të merren në konsideratë.
Protesta nisi mesditën e djeshme para Ministrisë së Arsimit, por situata u përshkallëzua me kalimin e orëve, duke sjellë përplasje të forta me policinë. Tubimi vijoi edhe këtë të martë, ku krahas studentëve iu bashkuan edhe gjimnazistë e qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë largimin e qeverisë.
Pas zhvillimeve të ditës së djeshme, protestuesit janë zhvendosur tani drejt Kryeministrisë, ku tensionet dhe përplasjet me efektivët e policisë vijojnë ende.