“I kërkoj ndjesë Klaudias dhe vajzave”
Këngëtarja Blerina Matraku ka reaguar publikisht për videon ku shfaqet me kompozitorin Adrian Hila.
Përmes një deklarate të gjatë, Matraku ka konfirmuar se është një prej personave që shfaqet në material, ndërsa ka zgjedhur të mos e mohojë apo justifikojë atë që ka ndodhur.
Ajo kërkon falje dhe thotë se merr përgjegjësinë për veprimet e saj, duke theksuar njëkohësisht se publikimi i pamjeve ka cenuar privatësinë e saj.
“Sot nuk dua të mbrohem, dua të kërkoj falje. I drejtohem së pari publikut, çdo individi që është tronditur, lënduar apo ndjerë i prekur nga kjo situatë”, shkruan këngëtarja.

Matraku kërkon që përtej pamjeve që tashmë kanë qarkulluar të shihet edhe personi që po përballet me pasojat e publikimit të tyre.
“Nuk jam këtu për të justifikuar, jam këtu për të marrë përgjegjësinë time”, vijon ajo.
Një pjesë të veçantë të deklaratës këngëtarja ia kushton Klaudias, bashkëshortes së Adrian Hilës, dhe vajzave të çiftit.
“I kërkoj ndjesë Klaudias dhe vajzave të saj, për çdo lot apo dhimbje të shkaktuar”, shkruan Matraku.
Këngëtarja flet gjithashtu për besimin që, sipas saj, ka dhënë gjatë momenteve private, duke deklaruar se nuk e di ende se për çfarë arsye pamjet kanë përfunduar jashtë kësaj hapësire.
“Pavarësisht se më është cenuar në formën më çnjerëzore të mundshme privatësia ime, marr përgjegjësinë e veprimeve të mia”, shprehet ajo.
Në vijim, Matraku e përshkruan veten si një artiste me profil të ulët publik, ndërsa flet edhe për vështirësitë personale me të cilat është përballur ndër vite.
Në fund të reagimit, këngëtarja ka vetëm një kërkesë për publikun: të ndalet shpërndarja e videos.
“Sot ju lutem publikisht: ‘Mjaft’. Mos shpërndani më… Gabimi kërkon përgjegjësi, të cilën po e marr mbi supe. Dhimbja kërkon respekt. Mjaft, ju lutem. Jam njeri, që më është cenuar privatësia”, përfundon Blerina Matraku.
Reagimi i saj është një nga rastet e para ku një prej personave emri i të cilit është lidhur me materialet e publikuara flet vetë publikisht dhe pranon se shfaqet në pamje, ndërsa njëkohësisht kërkon ndërprerjen e shpërndarjes së tyre.