Rama shkarkon Vlora Hysenin: Do emëroj pasuesin sapo të kthehem nga SHBA, askush nuk është mbi ligjin! – Lajme Big Brother Vip

September 22, 2026


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve të fundit, ku me urdhër të SPAK, kreu i SHISH Vlora Hyseni u pezullua nga detyra dhe iu caktua masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Kjo masë, erdhi pas hetimeve që SPAK ka bërë për dosjen e AKSHI-t, ku Hyseni akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Por vendin e saj në krye të SHISH do e zërë dikush tjetër, bëri me dije kryeministri, sapo ai të kthehet nga SHBA.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, shkruan Rama në X.

Por teksa e falenderon për punën që ka bërë Vlora Hyseni në krye të SHISH, Rama thotë se drejtësia është e pavarur dhe të vazhdojë hetimet për të vënë para përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:

Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, shkruan Rama.

Kryeministri më tej dënon faktin që vendimet e gjykatës publikohen shumë shpejt në media, para se një person të shpallet ose jo fajtor me vendim të formës së prerë.

“Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.

Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.

E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.

As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo”, tha Rama.



Source link