Jonida Maliqi e dashuruar “kokë e këmbë” me Alesion, ja çfarë deklaroi ajo
Jonida Maliqi ka folur hapur për marrëdhënien e saj me Alessio Alian, ish-banorin e “Big Brother VIP Albania 5”, duke treguar se si po e përjeton këtë kapitull të jetës personale.
E ftuar në “Live From Tirana”, këngëtarja u ndal te raporti i tyre dhe rëndësia që ka për të fakti që marrëdhënia të ketë një status të qartë. Jonida kujtoi se të dy janë prindër të divorcuar, kanë lënë pas historitë e mëparshme dhe tashmë po ndërtojnë jetën e tyre.
Një nga sfidat e lidhjes së tyre është distanca. Artistja pranoi se kjo ka sjellë momente të bukura sa herë ribashkohen, por edhe periudha në të cilat mund të shfaqen distanca emocionale apo pasiguri. Megjithatë, ajo e bëri të qartë se ndjenja që merr nga kjo marrëdhënie ka një peshë të veçantë për të.
“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë”, u shpreh Jonida.
Këngëtarja nuk ngurroi të fliste edhe për dashurinë që ndien ndaj tij, duke thënë se nuk ka arsye ta fshehë atë. Nga ana tjetër, ajo preferon që disa pjesë të marrëdhënies të mbeten private, veçanërisht për shkak të fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Jonida shpjegoi se nuk dëshiron të bëjë deklarata të mëdha publike që më pas mund të interpretohen apo të kthehen në tituj mediatikë, por kjo nuk do të thotë se heziton të pranojë ndjenjat e saj për Alession.
Gjatë intervistës, artistja foli edhe për mënyrën se si ka ndryshuar raporti me veten pas të dyzetave. Sipas saj, me kalimin e viteve njeriu fillon t’i kushtojë më pak rëndësi gjykimit të të tjerëve dhe të kuptojë më mirë se ku dëshiron ta investojë energjinë.
“Mendoj që çdo individ pas të dyzetave fillon dhe reflekton më shumë për veten. Fillon e do veten më shumë dhe fillon të marrë më pak në konsideratë mendimin e të tjerëve”, tha ajo.
Për Jonidën, eksperiencat e viteve të fundit kanë ndikuar në mënyrën se si e sheh jetën dhe marrëdhëniet. Sot ajo thotë se zgjedh t’i jetojë gjërat sipas mënyrës së saj dhe t’ua kushtojë kohën e energjinë njerëzve që konsideron të rëndësishëm.